E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia kundër sistemit antiraketë të SHBA-së në Rumani

Ministria e Jashtme ruse shprehu ditën e premte shqetësimin dhe kërkoi sqarime pas njoftimit se Rumania do të pranojë elemente të sistemit të ri amerikane antiraketë.
"Kjo është një çështje serioze që do ta analizojmë me seriozitet", bëri të ditur ministria e jashtme ruse në një komunikatë për shtyp.
"Sigurisht, kjo shkakton shqetësim. Kemi nevojë për sqarime. Do ta ngremë këtë çështje në kontaktet me partnerët amerikanë dhe evropianë", thuhet në komunikatë.
Departamenti i Shtetit konfirmoi ditën e enjte njoftimin e bërë nga presidenti rumun,Traian Basescu, lidhur me dislokimin në Rumani të interceptorëve të raketave balistike deri në vitin 2015 në kuadrin e projektit të sistemit amerikan antiraketë.
Rusia e ka kundërshtuar projektin e parë të sistemit antiraketë në Evropë, i cili ishte hartuar në kohën e presidentit George W. Bush, të cilin e vlerësonte si kërcënues për sigurinë e saj. Ky projekt në atë kohë u pranua nga çekia, por më pas me ardhjen në pushtet të presidentit Obama, ky i fundit e anuloi këtë projekt.
Sistemi i ri, i paraqitur nga administrata e presidentit Barack Obama në shtator 2009, pas një rivlerësimi të rrezikut që përbën Irani lidhur me raketat balistike, ka për qëllim mbrojtjen nga raketa jo më me rreze të gjatë veprimi, por të shkurtër dhe të mesme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›