Rusia me Arshavinin, Suedia me Ibrahimoviçin
Fantazisti rus është kthyer pas skualifikimit, ndërsa sulmuesi i Interit është riaftësuar në kohë. Luhet për vendin e dytë në grup
Rusia mund ta shpalosë për herë të parë më këtë europian armën e saj më të fortë, fantazistin Andrei Arshavin, i cili rikthehet nga skualifikimi dhe do të luajë sot në ndeshjen vendimtare për Grupin D. Rusia ka nevojë për një fitore ndaj Suedisë në stadiumin e Insbrukut, për të arritur kualifikimin për në çerekfinale, ku e pret Holanda. Ndërkohë, nordikëve i hyn në punë edhe barazimi. Arshavin, që është zgjedhur dy vjet radhazi futbollisti më i mirë i Rusisë, ndoqi nga tribuna dy ndeshjet e para ku Rusia u mund 4-1 nga Spanja dhe fitoi 1-0 ndaj Greqisë. Ai pritet të marrë në dorë "çelësat" e skuadrës së Gus Hidinkut. "Arshavini është futbollist që mund të bëjë gjithçka, duke u nisur nga asgjëja. Eshtë shumë i dobishëm për skuadrën tonë, - tha Hidink për shtypin rus. - Ai mund të shënojë nga çdo pozicion." Pavarësisht nga elozhet, Hidink nuk ia garanton formacionin 27-vjeçarit, sepse 11-shja e tij është "top secret". "Nuk e kam vendosur formacionin, - tha holandezi. - Arshavini ka luajtur për herë të fundit më 4 qershor ndaj Lituanisë. Nuk e di nëse i ka 90 minutat në këmbët e tij. Të shohim..." Gjithsesi, Arshavini me siguri do të luajë pas sulmuesit Roman Pavliçenko, në vend të Dinjar Biljaletdinovit, që u duk i lodhur ndaj Greqisë. Nga ana tjetër, trajneri i Suedisë, Lars Lagerbak, do të ketë vetëm një ndryshim në formacion. Niklas Aleksandërson do të rikthehet si titullar në vend të Frederik Stor. Xhon Elmander mund të luajë sërish si mesfushor i djathtë, pavarësisht nga kavilja disi e enjtur. Lagerbaku synon të shfrytëzojë Elmanderin sa më shumë, pasi ka gati edhe alternativën Sebastin Larson. "Kemi disa mundësi zgjedhjesh, - tha ai. - Mesfushorët e mi janë në gjendje të mbulojnë disa role." Gjithsesi, vëmendja e nodrikëve ka qenë e përqendruar te gjendja shëndetësore e Zllatan Ibrahimoviçit. Sulmuesi i Interit ka shënuar dy nga tri golat e Suedisë në këtë veprimtari dhe, sipas pjesës më të madhe të specialistëve, përbën 50% të potencialit të kësaj skuadre. "Ibra" ka probleme me gjurin, por për aq sa ka qenë në fushën e lojës ka mahnitur me aftësitë e tij. "Ndjeva dhimbje që në minutën e pestë. Më vjen mirë që shënova, por nuk mund ta përballoja pjesën e dytë," tha 26-vjeçari, pas ndeshjes së humbur 2-1 me Spanjën. Mjekët i kanë dhënë garanci Lagerbakun për praninë e tij sonte në Insburk. Suedia, që në ndeshjen e parë fitoi 2-0 ndaj Greqisë, mund të kualifikohet edhe në rast barazimi. Ata kanë një golaverazh më të mirë se Rusia. Ekipi që do të kalojë në çerekfinale do të ndeshet me Holandën, fituesja e Grupit C.
Grupi D
Sot
Spanjë – Greqi
Rusi - Suedi