E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusia në alarm, zjarret përfshijnë zonën e Çernobilit



Zjarri ka përfshirë zonat e ndotura nga katastrofa e Çernobilit, në perëndim të Rusisë. Lajmi u bë i ditur nga autoritetet lokale, të cilat dhanë alarmin për gjendjen atje. Nga mesi i korrikut flakët kanë shkatërruar rreth 4 mijë hektarë të ndotur nga shpërthimi bërthamor në Ukrainë, në 1986. Autoritet janë vënë në alarm për përhapjen e ndotjes edhe në zona të tjera. Në qoftë se në Brjansk, në kufi më Ukrainën, shpërthen një zjarr, ka gjasa që të çlirohen jo vetëm lëndë të dëmshme të zakonshme, por edhe pjesëza radioaktive. Megjithatë, Ministri i Emergjencave ka bërë të ditur se sipërfaqja e zjarreve është minimizuar në 92.700 hektarë, nga 174 mijë që ishte ditën e martë. Pas katastrofës së Çernobilit në vitin 1986, ajo mbahet si zonë tepër e ngarkuar me lëndë radioaktive. Shumë hapur ministri rus për Mbrojtjen nga Katastrofat, Sergej Shoigu, e cilësoi problemin si tepër serioz dhe për këtë arsye po rritet rreziku që të përfshihen nga zjarri tokat torfë dhe pyjet që janë prekur nga rrezatimi radioaktiv i katastrofës bërthamore të Çernobilit në 1986. “Në qoftë se aty shpërthen një zjarr, jo vetëm do të çlirohen substanca të dëmshme të zakonshme, por edhe grimca radioaktive. Kjo mund të krijojë një zonë të re të ndotur. Prandaj, ne e kemi forcuar praninë tonë atje në mënyrë të konsiderueshme. Ndër të tjera, ne kemi vendosur një grup robotësh zjarrfikës” është shprehur Shiogu. Dy zjarre u arritën të shuhen relativisht shpejt. Por rreziku ende nuk ka ndalur. Të mjaftueshme për t'i vënë flakën janë edhe reflektimi i një cope xhami ose bishta cigaresh të hedhur pa vëmendje. Rreziku është i madh, thotë Nikolai Shmatkov nga organizata ambientaliste “WWF”: “Pjesëza radioaktive qëndrojnë për një kohë të gjatë në pyje. Ato shpesh gjenden mbi drurë të vdekur dhe të thatë në degë të thyera ose në pemët halore, të cilat i rrëzojnë boçet në tabanin e pyllit. Të gjitha këto janë materiale që digjen mirë“. Nga tymi mund të çlirohet material radioaktiv si Cezium 137, i cili depërton shumë ngadalë në tokën e pyllit dhe prej aty mund të ngjitet prapë në ajër. Një rrezik jo vetëm për sipërfaqe të lira në kufi me to. “Kur fillon të digjet pylli, retë të cilat përmbajnë pluhur blozë dhe grimca radioaktive mund të arrijnë në shtresat e larta të ajrit dhe të përshkojnë distanca të largëta. Bloza dhe hiri mund të arrijnë edhe në zonat e banuara dhe prandaj kjo paraqet një rrezik”. Prandaj “WWF” kërkon nga qeveria që të mos përqendrohet vetëm në mbrojtjen e objekteve me rëndësi strategjike siç janë pajisjet ushtarake apo uzinat e kërkimeve atomike, si ato në Sarov në zonën e Nizhni Novgorodit - pjesa lindore e Rusisë evropiane. Mund të ketë shpresë për trekëndëshin e shteteve të prekur nga Çernobili: Rusia, Bjellorusia, Ukraina. Mbrojtësit rusë të mjedisit thonë se për njerëzit atje, një zjarr në këtë zonë do të ishte i ngjashëm me një rrezatim të dytë bërthamor.

Pakistan, agjencitë humanitare japin alarmin

Agjencitë e ndihmës humanitare në Pakistan kanë paralajmëruar se gjendja mund të përkeqësohet nëse nuk rritet sa më parë ndihma ndërkombëtare. Ujërat nga përmbytjet kanë lëvizur drejt jugut të vendit duke shkaktuar shkatërrime masive. Një zëdhënës i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare në islamabad, Maurizio Giuliano tha se "Ata që kanë nevojë për ndihmë humanitare ka gjasa të shkojnë në afro 6 milionë vetë a më shumë. Kjo është shifër më e madhe se e atyre që janë prekur nga fatkeqësitë në Haiti apo nga tërmetin e Azinë juglindore në 2005-ën. Gjashtë milionë është shumë më e madhe se e atyre që kanë nevojë për asistencë, pas këtyre dy tërmeteve. Edhe pse mund të mos jetë e njëjta lloj ndihme, mundet që intensiteti i dëmtimeve të jetë më i ulët, sërish numri i atyre që kërkojnë ndihmë është shumë i lartë". Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, është kthyer në vend pas një vizite të debatueshme në Britani dhe Francë gjatë kohës së përmbytjeve.

Kolumbi-Venezuelë, rivendosen marrëdhëniet diplomatike

Kolumbia dhe Venezuela kanë mundur të rivendosin marrëdhëniet diplomatike. Lajmi u bë i ditur ditën e djeshme nga presidenti kolumbian, Huan Manuel Santos, pas takimit me homologun e tij nga Venezuela, Hugo Çavez. Ky i fundit kishte urdhëruar ngrirjen e marrëdhënieve një vit më parë, pasi Bogota lejoi ushtrinë amerikane që të përdorë shtatë baza të ushtrisë kolumbiane.
Çavez ndërpreu marrëdhëniet tërësisht më 22 korrik, atëherë kur paraardhësi i Santos, Alvaro Uribe akuzoi Venezuelën në Organizatën e Shteteve Amerikane se po strehon 1500 guerilë kolumbianë.

Australi
Qeveria shpenzon 2,8 milionë dollarë për blerjen e ujit

Australia do të shpenzojë 2,8 milionë dollarë për blerjen e ujit për produktet bujqësore që do të ndihmojë rikonstruktimin e degëve të lumenjve të cilat janë goditur nga thatësirat në pjesën jugperëndimore të vendit. Autoritetet publikuan një listë të gjatë të masave për mbrojtjen e mjedisit jetësor si pjesë e fushatës parazgjedhore përpara zgjedhjeve parlamentare të 21 gushtit. “Do ta blejmë ujin e nevojshëm për produktet bujqësore, për t’i kthyer në gjendjen e mëparshme lumenjtë”, tha zëvendëskryeministrja e Australisë, Xhulia Gijard.

Kinë
Më shumë se 1100 të vdekur nga rrëshqitjet e tokës

Pas rrëshqitjeve të tokës me pasoja shkatërrimtare në veriperëndim të Kinës, numri i viktimave është rritur në më shumë se 1100 vetë, njoftojnë mediet shtetërore. Më shumë se 600 vetë janë në kërkim. Mijëra ushtarë dhe vullnetarë vazhdojnë të kërkojnë të mbijetuarit. Në pjesën tibetiane të provincës kineze Gansu, në fundjavë lokalitete të tëra të banuara u mbuluan nga masat e dheut. Shërbimi kombëtar meteorologjik ka paralajmëruar për rrëshqitje të tjera dheu. Shirat e vazhdueshme do të shtohen deri ditën e premte dhe mund të shkaktojnë ortekë të tjerë balte, u tha.

12 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›