E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rusia nis fushatën e re ushtarake, do rekrutohen 160 mijë ushtarë

Rusia do të fillojë fushatën e saj të rekrutimit pranveror që përfshin 160,000 të rinj të moshës 18 deri në 30 vjeç, sipas një dekreti të nënshkruar sot nga Presidenti Vladimir Putin, një numër më i madh se në dy vitet e mëparshme.

Ushtria thotë se këta rekrutë të rinj nuk do të dërgohen në Ukrainë, një vend që forcat ruse e kanë sulmuar që nga shkurti i vitit 2022.

Kjo fushatë organizohet dy herë në vit, në pranverë dhe në vjeshtë.

Ajo do të fillojë nesër, e martë, sipas një dekreti të nënshkruar nga presidenti rus dhe të publikuar sot.

Sipas dekretit, 160,000 qytetarë rusë të moshës 18 deri në 30 vjeç do të thirren për të shërbyer nga 1 prilli deri më 15 korrik të këtij viti.

Fushata e pranverës përfshiu 150,000 të rinj në 2024 dhe 147,000 në 2023, sipas agjencisë ruse të lajmeve Tass.

“Fushata e ardhshme e mobilizimit nuk ka të bëjë fare me operacionin special ushtarak në Ukrainë”, tha Ministria Ruse e Mbrojtjes në një deklaratë, duke përdorur eufemizmin e imponuar për të përshkruar sulmin ndaj atij vendi.

Një zyrtar i lartë i shtabit të përgjithshëm, zëvendësadmirali Vladimir Tsimlyansky, tha se rekrutët nuk do të dërgoheshin në rajonet ukrainase ku po lufton ushtria ruse.

Ata as nuk do të marrin pjesë “në detyrat e operacionit special,” tha ai, sipas njoftimit të ministrisë.

Në vitin 2023, Rusia miratoi një ligj që rrit moshën e rekrutimit nga 27 në 30 vjeç.

Sulmi ndaj Ukrainës kishte bërë që autoritetet ruse të urdhëronin mobilizimin e më shumë se 300,000 njerëzve në vjeshtën e vitit 2022.

 Shumë rusë ishin larguar nga vendi në atë kohë, nga frika e rekrutimit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›