Rusia njeh Këshillin Kombëtar të Tranzicionit

Rusia ka njohur Këshillin Kombëtar të Tranzicionit si autoritet qeveritar në Libi. Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme thuhet se Rusia njeh Këshillin Kombëtar të Libisë ai autoritet aktual dhe merr parasysh programin e tij të reformave. Gjithashtu Rusia bën thirrje për hartimin e kushtetutës së re, organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe formimin e qeverisë në Libi.
Ky hap vjen pak para se 60 liderë botërorë dhe zyrtarë të lartë të mblidhen në Paris, për të diskutuar të ardhmen e Libisë.
Takimi i Grupit të Kontaktit për Libinë pritet të fokusohet në zhbllokimin e miliarda fondeve libiane, që janë mbajtur jashtë shtetit.
Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, dhe kryeministri britanik, Dejvid Kameron, do të udhëheqin konferencën, në të cilën do të marrin pjesë edhe anëtarë të Këshillit Kombëtar të Tranzicionit.