Bisedimet Kosovë-Serbi,Tahiri niset drejt Brukselit
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka udhëtuar drejt Brukselit, për të marrë pjesë në raundin e gjashtë të dialogut teknik midis Prishtinës dhe Beogradit, që do të mbahet të premten. Kësaj radhe Tahiri ka marrë me vete një grup prej më shumë se 10 persona, të cilët vijnë prej fushave që do të shtrohen për diskutim.
Në axhendën e takimit të 2 shtatorit, do të jenë pesë çështje, si njohja e vulave të doganave të Kosovës, telekomunikacioni, energjia, kadastrat dhe bashkëpunimin rajonal.
Gjithashtu, në këtë raund të dialogut teknik do të analizohet dhe do të intensifikohet puna e grupeve për implementimin e tri marrëveshjeve të arritura më parë.
Dihet se kjo axhendë ishte parashikuar për takimin e 20 dhe 21 korrikut 2011, raund ky i cili dështoi me fajin e palës serbe, e cila refuzoi njohjen e vulave të doganave të Kosovës.
Ndërkaq për katër çështjet e para, bisedimet janë në nivelin e diskutimit të draft-marrëveshjeve, të prezantuara nga ndërmjetësi i BE-së, të cilat kanë për bazë draftet e 6 qershorit 2011 dhe komentet e palëve.
Ndërsa çështja e bashkëpunimit rajonal shtrohet për herë të parë, përveç temës së CEFTA-s, e cila është diskutuar në raundin e parë.