SHBA kishte dijeni për zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni

Ambasada amerikane në Shkup që në vitin 2008 ishte e vetëdijshme se në Maqedoni do të ketë zgjedhje të parakohshme. Kjo bëhet e ditur në një nga materialet e publikuara së fundmi nga “Wikileaks”. Ndërkaq nga “Wikileaks” është publikuar një raport i vitit të kaluar i dërguar nga ambasadori i asaj periudhe Filip Riker në adresë të Departamentit të Shtetit në Uashington. Në këtë raport ishin pasqyruar përllogaritjet se pas zgjedhjeve presidenciale dhe ato lokale në periudhën 2009-2010, Gruevski totalisht do të sundonte me të gjitha pushtetet në Maqedoni. “Në rast se Maqedonia do të merrte ftesën për anëtarësim në NATO, atëherë Gruevski do t`ia shkruante vetes meritat, në rast se nuk do të kishte ftesë, atëherë ai do të akuzonte Greqinë dhe opozitën”, theksohet në kabllogramin e ambasadës amerikane. Raporti përmban edhe kritika lidhur me qasjen e Qeverisë gjatë vitit të kaluar, ku ish-ambasadori Riker kishte shprehur keqardhje se Maqedonia nuk ishte përkushtuar për gjetjen e zgjidhjeve. Në një kabllogram të periudhës së vitit 2006 nga komunikimi i ish-ambasadores amerikane Xhilian Milovanovic me Uashingtonin, Gruevski pas formimit të Qeverisë së re në vitin 2006 ishte përshkruar si njeri që ka stil të lartë të centralizimit të pushtetit, i cili për shkak të pasigurisë së tij, gjatë zgjedhjes së kuadrove për ministra ishte përkujdesur që ata të jenë kuadro të rinj dhe të panjohur.