Rusia pezullohet nga Organizata Botërore e Turizmit

Rusia është pezulluar nga Organizata Botërore e Turizmit e OKB-së (UNWTO). Siç raporton CNN, anëtarët e UNWTO kanë votuar pezullimin e Rusisë ndërsa kjo e fundit nuk pranoi të mbronte pozicionin e saj dhe njoftoi tërheqjen.
“Anëtarët e UNWTO votuan për pezullimin e Rusisë. Në mbledhjen e Asamblesë së parë të jashtëzakonshme të Përgjithshme të UNWTO, anëtarët debatuan pezullimin e Rusisë nga Organizata. Rusia nuk pranoi të mbrojë pozicionin e saj dhe njoftoi tërheqjen e saj nga UNWTO,” njoftoi UNWTO në tweet-in e saj.
Lajmi është konfirmuar gjithashtu edhe nga ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba. Ministri falenderon të gjithë anëtarët që votuan pro pezullimit të Rusisë, dhe paralajmëroi se izolimi i Rusisë do thellohet akoma edhe më shumë.
“Rusia është pezulluar nga @UNWTO në seancën e parë të jashtëzakonshme të Asamblesë së saj të Përgjithshme. Faleminderit për të gjithë anëtarët që e mbështetën këtë veprim. Drejtimi i vetëm i udhëtimit për kriminelët rusë të luftës duhet të jetë Haga. Izolimi i Rusisë do të thellohet me çdo ditë të luftës së saj kundër Ukrainës”, shtoi Kuleba.