E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia po pengon hetimet për Kaczynskin

Zyrtarët polak po kërkojnë nga Rusia vënien në dispozicion të dokumenteve, për të cilat thonë se janë të nevojshme në hetimet lidhur me rrëzimin e aeroplanit, me ç’rast humbi jetën presidenti polak, Lech Kaczynski.

Kryeministri polak, Donald Tusk, tha se ndërkohë që hetimet po futen në fazën përfundimtare, bashkëpunimi me Rusinë është më i keq sesa ishte në fillim.

Gazeta Wyborcza e Polonisë citon krye-hetuesin, Edmund Klich, të ketë thënë se Rusia nuk dëshiron t’i vejë materialet në dispozicion.

Gazeta thotë se dokumentet në fjalë ose mund të konfirmojnë ose përjashtojnë se kontrollorët rus të trafikut ajror dhe pajisjet e tyre mund të kenë luajtur një rol në këtë tragjedi.

Rrëzimi i aeroplanit më 10 prill, në afërsi të qytetit rus Smolensk, i mori jetën presidentit Kaczynski dhe 95 njerëzve të tjerë në bord.

Besohet se mjegulla e dendur mund të ketë luajtur rol në përplasjen e avionit.

Por hetuesit po shikojnë nëse Kaczynski apo dikush tjetër në aeroplan kishte ushtruar trysni ndaj pilotëve që të provojnë uljen, pavarësisht kushteve të këqija atmosferike.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›