Tryeza, Meta: Rama, ëndrra me sy hapur
Zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Jashtëm, Ilir Meta, deklaroi dje se kreu i PS-së, Edi Rama, po lëshon presione verbale para tryezës politike për zgjidhjen e situatës politike. Në një dalje për mediat, kreu i LSI-së deklaroi se lidershipi i PS-së po sheh ëndrra me sy hapur. Sipas tij, Rama nuk po respekton rregullat e lojës, të përcaktuara nga Kushtetuta e vendit. “Nuk mendoj se presionet verbale janë ato të cilat çojnë procesin përpara apo çfarëdolloj presionesh të tjera. Theksoj dhe një herë, është fatkeqësi kur një politikan del nga realiteti. Është punë për të, por përsëri është fatkeqësi për të kur shikon ëndrra me sy hapur. Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, Shqipëria ka institucione të qëndrueshme të cilat nuk funksionojnë në mënyrë perfekte, por sidoqoftë funksionojnë në mënyrë demokratike dhe absolutisht që të gjithë duhet të respektojnë rregullat e lojës të përcaktuara nga kuadri Kushtetues i vendit dhe logjika demokratike”, - deklaroi Meta. Duke qëndruar në të njëjtën çështje, Meta u shpreh pesimist me sjelljen e opozitës që, sipas tij, mbetet arrogante prej muajsh. Sipas tij, protestat e PS-së kanë qenë të njëanshme dhe shantazhuese. Kreu i LSI-së tha më tej se në kohën kur pritet një tryezë për zgjidhjen e këtij ngërçi, Rama inicion një fron që do të sjellë qametin, një situatë e ngjashme me mitingun e nëntorit që u pretendua se do të rrëzonte qeverinë e djathtë. “Por ju mund ta shikoni sjelljen tjetër, për fat të keq, krejtësisht destruktive, arrogante, të një anshme dhe shantazhuese, ku ndërkohë që pritet të fillohet një tryezë dhe zhvillohet një dialog, paralajmërojnë një front që do të na sjellë qametin, njësoj si në mitingun e famshëm në fund të nëntorit që do rrëzonte qeverinë dhe kutiçkat bashkë me të”, - tha më tej Meta. Në lidhje me zhvillimin e tryezës politike, Meta nuk pranoi të bënte komente për rolin e Presidentit të vendit, por tha se respekton pozitën e tij mbi palët. “Nuk dua të bëj asnjë koment për rolin e Presidentit, duke respektuar pozitën e tij kushtetuese mbi palët dhe njëkohësisht angazhimin e tij konstruktiv të shprehur në mënyrë të vazhdueshme për të kontribuar në ecjen përpara të vendit përmes një dialogu sa më të frytshëm, që inkurajon të gjithë të bëhen pjesë e këtyre proceseve”, - shtoi Meta.
Një pyetje e bërë nga gazetarët ishte edhe mundësia e hyrjes së Kuvend të deputetëve të Mendimit Ndryshe të PS-së dhe nëse LSI do të ishte e gatshme t’i priste ata në grupin e saj parlamentar. Meta u shpreh se LSI nuk ka një qëllim të tillë dhe e cilësoi një manovër politike jo të preferuar. “Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka qëllim të shtojë grupin e saj parlamentar me manovra të cilat nuk janë aspak të preferuara nga ana jonë. Aq më tepër as nuk janë të domosdoshme, për arsye sepse ne kemi një marrëveshje me Partinë Demokratike dhe jemi të bindur se kjo do të jetë një qeveri shumë e suksesshme, e cila do të përmbushë të gjitha angazhimet e saj kryesore me përgjegjësi dhe seriozitet të plotë deri në 28 qershor të vitit 2013. Për sa u takon qëndrimeve dhe problemeve që janë brenda opozitës, ato janë problemet e tyre dhe unë nuk dua të marr përsipër të bëhem pjesë e debateve të tyre”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.