Berisha në Korçë ironizon Ramën për arsimimin
Kryeministri Berisha është shprehur dje se kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka pasur probleme me arsimin. Duke iu referuar përurimit të një shkolle në Tiranë nga Rama, Berisha tha se “pashë kryetarin e Bashkisë së Tiranës të përuronte një shkollë. Uroj të ketë kapërcyer problemet që ka pasur me arsimin. E garantoj se qeveria do ta mbështesë në të gjitha projektet për arsimin e Tiranës”, - është shprehur Berisha. Këtë deklaratë kreu i qeverisë e bëri gjatë përurimit të ambienteve të kabinetit të informatikës në shkollën 9-vjeçare të fshatit Mborje. Në kuadër të turit të tij “Shqipëria në NATO”, Berisha është ndalur dje në qytetin e Korçës dhe fshatrave përreth. Ai gjithashtu ka marrë pjesë dhe në inaugurimin e përfundimit të punimeve për rikonstruksionin dhe ndriçimin e rrugës së Drenovës.
23 Qershor 2008