E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruzhdie, ish-komisioneri i PD-së dhunon Isuf Kamberajn



Ish-komisioneri i Partisë Demokratike në komunën e Ruzhdies, Pëllumb Myrtaj, ka rrahur Isuf Kamberajn, që deklaroi se janë vjedhur zgjedhjet në Ruzhdie. Ngjarja ka ndodhur dje në mëngjes, ku ish-komisioneri i Partisë Demokratike, i cili shoqërohej me të vëllanë kanë ushtruar dhunë mbi Kamberajn. Banori i fshatit Ruzhdie ka bërë denoncimin në Prokurori ndaj dhunuesit. Autori i dhunimit fizik është Pëllumb Myrtaj. Ai është nën hetim nga Prokuroria e Fierit sepse dyshohet se ka bashkëpunuar me tre komisionerë të tjerë të djathtë në falsifikimin e rezultatit të zgjedhjeve në komunën Ruzhdie. Ndërsa ditën e zgjedhjeve ai ishte një nga komisionerët që ka debatuar më shumë me përfaqësuesit socialistë të komisionit, të cilët më pas braktisën detyrën. Zgjedhjet në Ruzhdie janë vënë në hetim dhe Gjykata e Shkallës së Parë në Fier ka dhënë masën e ndalimit detyrim paraqitjeje për komisionarët Bujar Kararaj, kryetar i komisionit, Pëllumb Myrtaj, zëvendëskryetar dhe anëtarët e komisionit: Robert Myftaraj, Veledin Myftaraj dhe Shezai Kararaj. Prokuroria e Fierit ka hetuar dhe faktuar manipulimin e zgjedhjeve në fshatin Ruzhdie të Fierit. Në bazë të një padie të ngritur nga Partia Socialiste, se komisionerët po bënin proces të jashtëligjshëm votimi, falsifikim dhe votim më shumë se një herë. Të akuzuarit janë Bujar Kararaj, kryetar i komisionit, Pëllumb Myrtaj, zëvendëskryetar dhe anëtarët e komisionit, Robert Myftaraj, Veledin Myftaraj dhe Shezai Kararaj. Prokuroria sekuestroi kutinë e materialeve të Qendrës së Votimit Nr. 3052 dhe nisi hetimin. Prokuroria vuri re se nga 592 zgjedhës në listë, rezultonin të kishin votuar 525 prej tyre. Por komisionerët socialistë pretendonin se aty ka pasur falsifikim votash. Për këtë arsye, Prokuroria mori nga Drejtoria e Kufirit të dhënat e sistemit TIMS, që regjistron të gjithë personat që hyjnë dhe dalin në Shqipëri dhe rezultoi se 111 persona nga ky fshat, në moshë për të votuar, kanë qenë jashtë vendit dhe se nga këta 80 persona rezultonin që të kishin votuar. Në raportin e Prokurorisë thuhet se 80 personave, të cilët rezultojnë të kenë votuar, u janë falsifikuar firmat, numrat e pasaportave dhe numrat e kartave të identitetit. Në raportin e paraqitur në Gjykatë thuhet: “Nga tërësia e veprimeve hetimore të mësipërme rezulton se prej anëtarëve të komisionit të Qendrës së Votimit Nr. 3052, të pranishëm deri në fund të votimit, janë kryer shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor. Me pasojë kundërligjshmërinë e këtyre anëtareve, ka filluar fillimisht me lënien e zgjedhësve për të votuar në mënyrë të hapur, pa u futur në dhomën e fshehtë. Kanë falsifikuar listën e zgjedhësve duke shënuar në këtë listë, përbri emrave të zgjedhësve, numra serie të dokumenteve të identifikimit, si pasaporta dhe karta të identitetit të falsifikuara. Kanë hedhur në kutinë e votimit vota për personat që u kanë falsifikuar nënshkrimet dhe numrat e serive të dokumenteve të identifikimit”. Në raport jepen edhe emrat e personave që kanë falsifikuar dhe manipuluar rezultatin e zgjedhjeve.

9 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›