Topi: “Interesat partiake të mos mbajnë peng reformën në Drejtësi”
Laureta Rryçi
Duke çmuar momentin në prag të vendimit të Bashkimit Europian për çështjen e vizave, kreu i shtetit kërkoi dje kontributin e politikës në miratimin e disa ligjeve që, sipas tij, janë përtej interesave partiake dhe me rëndësi shumë të madhe për vendin.
Presidenti i Republikës shfrytëzoi një panel të organizuar pikërisht për problemet e Drejtësisë, për të folur më troç se kurrë, duke e vënë klasën politike para përgjegjësisë për situatën e krijuar muajt e fundit. Sipas kreut të shtetit, që në të njëjtën kohë është dhe kupola e Gjyqësorit, reforma në Drejtësi është bllokuar si pasojë e mossigurimit të 84 votave në Parlament.
Megjithatë, duket se presidentit Topi i ka sosur durimi, pasi gjatë fjalës së tij në një mbledhje të KLD-së deklaroi se institucioni i tij nuk do të vazhdojë të jetë më në pritje të vullneteve partiake për disa vendime që duhej t’i kishte marrë. “Disa procedura, të cilat duhet t’i kisha realizuar prej kohësh, i kam mbajtur, nuk i kam paraqitur, por institucioni i Presidentit nuk mund të mbesë i varur nga vullnetet politike. Partitë kanë të drejtën e plotë të bëjnë zgjedhjen e tyre politike, por bëj apelin që qëndrimet politike janë vërtet ekskluzivitet i subjekteve politike. Por, janë disa ligje të qenësishme për vendin, të cilat domosdoshmërisht duan një lloj bashkëpunimi për të dalë nga kjo situatë”, - u shpreh Topi. Pas apelit për politikën, Topi nuk harroi t’u kujtonte gjyqtarëve që të rrinin larg politikës si dhe u dha mbështetjen e tij për trajtimin e problemeve që ka aktualisht Gjyqësori shqiptar.
Apeli
Pas një angazhimi të gjatë si ndërmjetës për zgjidhjen e krizës politike, kjo është hera e parë që kreu i shtetit reagon për bllokimin e disa prej nismave më të rëndësishme ligjore. Këto deklarata Topi i bëri në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku u mor në analizë e gjithë problematika e gjykatave që u evidentua gjatë analizave vjetore. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i bëri apel politikës shqiptare që të shkojë përtej debatit të ditës dhe të bashkohet në të mirë të kalimit të disa ligjeve tepër të rëndësishme, sidomos në fushën e Drejtësisë. “Është diskutuar për çështjet e Konferencës Gjyqësore, të Gjykatës Administrative, nevojën për profilizimin e gjykatës së të miturve. Herë pas here është shprehur edhe shqetësimi për gjendjen e krijuar për shkak të disa impaseve që janë krijuar në çështjet e ligjshmërisë. Nisur nga kjo unë do t'i bëja apel politikës, Parlamentit, që të shkojë përtej debatit të ditës, të shohë më larg, sepse integrimi i vendit, procesi i liberalizimit të vizave është i kondicionuar prej reformave", - u shpreh presidenti Topi. Duke kërkuar, me fjalë të tjera, që në Parlament të arrihet numri magjik 84 për miratimin e disa ligjeve tepër të rëndësishme, Topi i ftoi politikanët të shprehin një vullnet lidhur me këto çështje. Kreu i vendit theksoi se Shqipëria është në fazën finale në rrugën e integrimit, por sistemi i Drejtësisë mbetet në një moment staze përderisa disa ligje shumë të rëndësishme i kanë imponuar këtij sistemi një gjendje pritjeje. "Qëndrimet politike janë ekskluzivitet i partive politike, por disa ligje janë të detyrueshme për klasën politike që të shprehë vullnetin e saj”, - deklaroi Topi.
Mbështetja
Topi, në cilësinë e kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, u shpreh dje se është njohur gjerësisht me problematikat që u evidentuan gjatë analizave vjetore. “Unë do të inkurajoja sot këtu nevojën që ne ta fuqizojmë sistemin e Drejtësisë, brenda mundësive që kemi, të rrisim mundësinë që të modernizojmë gjykatat, të optimizojmë kushtet e punës për gjyqtarët, pse jo, të vazhdojmë të kërkojmë që pagat e gjyqtarëve duhet të rriten, sepse në këtë mënyrë ne plotësojmë një lloj detyrimi për të kërkuar më shumë. Gjyqtarët, ne jemi të ndërgjegjshëm që përballojnë një punë voluminoze, një punë delikate, por, nga ana tjetër, u është besuar një moment shumë i rëndësishëm - për të dhënë drejtësi. Duhet të bëjmë ç’është e mundur, brenda mundësive që ka shteti ynë, por duke pasuar këtë lloj predispozicioni, të gjithë së bashku me faktorin politik legjislativ, me qeverinë të krijojmë kushte të përshtatshme në mënyrë që edhe drejtësia që do t’u kërkohet gjyqtarëve të ketë një zë më të lartë”. Në këtë mënyrë kreu i KLD-së i ka dhënë edhe një herë mbështetjen e tij të gjithë trupës së gjyqtarëve.
9 Mars 2010