E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, Chountis: E ardhmja e vendit në BE – do heqim imunitetin

07-09-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha rikonfirmoi sot në një takim me Eurodeputetin Nikolaus Chountis se, anëtarësimi i Shqipërisë në BE është dhe mbetet përparësi themelore për qeverinë shqiptare, si e ardhmja më e mirë për jetën dhe sigurinë e qytetarëve shqiptarë, të cilët e konsiderojnë këtë proces, si projektin më madhor kombëtar, i mbështetur nga pothuajse i gjithë opinioni publik dhe spektri politik.

Kryeministri Berisha i shprehu Chountis mirënjohjen më të thellë për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme e të çmuar që Parlamenti Evropian dhe anëtarët e tij i kanë dhënë dhe vijojnë t’i japin Shqipërisë në të gjitha përpjekjet e saj për anëtarësim në BE.

Kryeministri e falënderoi Chountis gjithashtu për rigorozitetin dhe objektivitetin që ai ka dëshmuar gjatë gjithë kësaj periudhe të misionit, si raportues për PE-në dhe për ndjenjat e miqësisë ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

Më tej, Kryeministri Berisha, pasi i ripohoi Eurodeputetit Chountis se për qeverinë shqiptare ky proces është dhe mbetet një proces i bazuar tërësisht në performancë dhe meritë, e njohu atë me progresin e arritur nga Shqipëri, në shumë fusha si; reformat ekonomike, thjeshtësimi i procedurave administrative, lufta kundër korrupsionit, reforma në arsim, në shëndetësi, dixhitalizimi i shumë shërbimeve, si One stop Shop për regjistrimin e biznesit, për licencat e lejet, e-taksa, e-dogana, sistemi on-line i gjurmimit të dokumenteve, shtrirja e internetit, lehtësitë e krijuara në thithjen e investimeve, në fushën e turizmit, etj.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha e njohu Eurodeputetin Chountis me faktin se edhe pse Shqipëria nuk konsiderohet ende një vend i zhvilluar, në shumë aspekte shënon tregues themelorë të njëjtë, ose edhe më të lartë me vendet e zhvilluara si; për sa i përket nivelit shumë të ulët të vdekshmërisë foshnjore dhe vdekshmërisë në përgjithësi, aksesit më të lehtë në shërbimin shëndetësor, etj. Ndërkohë, theksoi Kryeministri, me punën e tyre, shqiptarët kanë tejkaluar tashmë 5 vende të OECD-së për sa i përket numrit të banesave për 1000 banorë.

Më tej, zoti Berisha e njohu Chountis me zhvillimet e fundit politike në vend, ku u vlerësua realizimi me konsensus i reformës zgjedhore, por edhe i një sërë ligjeve të tjera, të cilat kërkonin votim të cilësuar në parlament. Në këtë kontekst, në takim u theksua rëndësia dhe domosdoshmëria e miratimit edhe të akteve të tjera legjislative që kërkojnë shumicë të cilësuar parlamentare, siç është ai i heqjes së imunitetit dhe çdo ligji tjetër që ka lidhje me ecjen përpara në procesin e anëtarësimit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat.

Kryeministri Berisha i ripohoi Chountis angazhimin e tij dhe të qeverisë shqiptare për të marrë çdo masë, çdo reformë, për të miratuar të gjitha aktet e nevojshme, që ky projekt madhor i shqiptarëve të shndërrohet sa më parë në realitet.

Anëtari i delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, i cili ndodhet ne vendin tonë në kuadër të përgatitjeve të raportit për Parlamentin Evropian, për sa i përket progresit të shënuar dhe hapave të mëtejshëm në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë i rikonfirmoi Kryeministrit Berisha bindjen e tij të thellë se e ardhmja e Shqipërisë, është dhe mbetet Bashkimi Evropian, ashtu si edhe e ardhmja e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Eurodeputeti Chountis shfrytëzoi rastin për t’i uruar Kryeministrit Berisha 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, duke uruar njëkohësisht popullin shqiptar që në këtë vit historik, të arrijë të realizojë këtë hap të rëndësishëm në projektin madhor të integrimit evropian, marrjen e statusit të vendit kandidat.

Chountis i rikonfirmoi Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Parlamentit Evropian në të gjitha përpjekjet që Shqipëria dhe qeveria shqiptare po bëjnë për realizimin e reformave të thella e të gjithanshme, në mënyrë që Shqipëria të marrë sa më shpejtë statusin e vendit kandidat dhe të vijojë me hapat e mëtejshëm drejt integrimit evropian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›