PS: Kunati është i pari, jo qytetarët
Partia Socialiste ka denoncuar edhe një herë tjetër skandalin e plehrave në Tiranë, veprimtari kjo që u është hequr romëve dhe është marrë nga Kunati i Lulzim Bashës.
Deputeti socialist, Artan Gaçi, ka qenë vetë pranë vendit të grumbullimit të mbeturinave në Vaqarr, duke denoncuar faktin se njerëzit e lidhur me Lulzim Bashën, kanë komanduar edhe Kuvendin e Shqipërisë për të miratuar në urgjencë ligjin për importin e mbetjeve, përveçse kanë dhunuar romët që të mos mbledhin më mbetjet e ndryshme plastike.
Kjo këtu mbrapa është arsyeja që shpjegon dhunimin e romëve nëpër rrugët e Tiranës ditën dhe natën nga Policia Bashkiake e kryeqytetit. Kjo godinë këtu mbrapa është prova që tregon arsyen e vërtetë të prurjes me aq urgjencë të atij ligji aq të kontestuar që ishte ligji i importit të plehrave, tha deputeti socialist.
Duke treguar se si një grusht njerëzish të afër të pushtetit komandojnë të gjithë shtetin, në të gjitha strukturat e tij deri në KQZ, për interesa thjesht dhe vetëm materiale personale, deputeti socialist tha se: Kjo këtu mbrapa është arsyeja e vërtetë pse u pengua referendumi i kërkuar nga 75 000 qytetarë.
Sipas deputetit socialist, Lulzim Basha vërtetoi edhe një herë se për të, Kunati është i pari, jo qytetarët.
Qytetarët të Tiranës dhe të Vaqarrit ndoten nga kjo fabrikë që është pa leje ndërtimi dhe pa leje mjedisore. Kjo këtu mbrapa është fabrika e plehrave e përfolur, që menaxhohet dhe ka pronarë njerëz shumë të afërt të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Kjo këtu është prova që tregon që slogani i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha që qytetarët janë të parët ka qenë një gënjeshtër propagandistike. Kjo është prova e vërtetë që qytetarët nuk janë të parët, por kunati është i pari, tha Gaçi.
