Ryszard Kapuscinski, poeti në frontin e luftës
“Ne u lindën në luftë dhe u rritëm në luftë”- thotë Ryszard Kapuscinski korrespondenti i njohur i luftës si dhe një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore. I njohur ndryshe si "Indiana Jones me bllok", Kapuscinski është legjendë për kolegët e tij, pasi ka kërkuar të vërtetën për përvojën njerëzore në vendet më të rrezikshme sidomos në Afrikë. Regjisorja Gabrielle Pfeiffer udhëton përmes dokumentarit “Një poet në front: Reportazhi i Ryszard Kapuscinski-t” me vetë Kapuscinski-n në katër vende dhe ngërthen karakterin e tij të vërtetë, pasionin, humorin dhe demonët që e mundojnë. Filmi ndërthur fëmijërinë e Kapuscinski-t si refugjat në Poloni gjatë Luftës së Dytë Botërore, me përvojën e tij të mëvonshme në fushat e betejës të Botës së Tretë, në një rrëfim poetik të tragjedisë dhe absurditetit të luftës. Filmi shqyrtonte edhe kufirin mes gazetarisë dhe letërsisë, si dhe sfidat me të cilat përballet shkrimtari në kuadrin e censurës. Filmi dokumentar mbi jetën e Ryszard Kapuscinskit u shfaq mbrëmë nga Instituti i Medias dhe Frontline në bashkëpunim me Akademinë e Filmit & Multimedias ‘Marubi’. “Personalisht nuk e kam njohur por mendoj se e kam patur me vete me librat e tij. Librat e Ryszard Kapuscinski kanë qenë guida më e mirë e udhëtimeve në Afrikë. Ai është një nga figurat më të jashtëzakonshme të gazetarisë, letërsisë, kulturës dhe jo më kot ai ka fituar të gjitha çmimet prestigjoze të letërsisë përveç Nobelit që për mua nuk është çudi që ta fitojë ndonjë ditë”- tha në prezantimin e filmit Drejtori i Institutit të Medias, Remzi Lani.
Rreth dokumentarit
Dokumentari është realizuar në 70-vjetorin e tij. Kapuscinski shfaqet (4 vjet para se të ndahej nga jeta) teksa hap gardhin e shtëpisë ku jeton. Kalon rrugën dhe ndalet për një moment para një ndërtese 2-katëshe me një arkitekturë shumë interesante. Ai, 70-vjeçari, nis të rrëfejë fëmijërinë e tij përmes fotografive bardhe e zi në atë shtëpi të vogël dykatëshe. Kështu nis dokumentari mbi jetën e një prej korrespondentëve më të njohur që gjatë karrierës së tij 30-vjeçare ka rrëfyer luftën, revolucionin grushtin e shtetit në vende të ndryshme të Afrikës. Dokumentari është realizuar në vitin 2003 nga regjisorja Gabrielle Pfeiffer, e cila bashkë me gazetarin e njohur polak sjell në një farë mënyre jetën e rrëfyer nga vetë Ryszard Kapuscinski, gazetar, udhëtar gati-gati antropolog, ekspert artesh, shkrimtar, autor me sukses ndërkombëtar. Por nuk mungojnë edhe kolegët e tij si Majkëll Kaufman korrespondent i “Nju Jork Times” i cili tregon sesi e ka njohur Kapuscinski-n. I lindur në Pinsk, një qytezë që atëherë i përkiste Polonisë, kurse sot Bjellorusisë, më 14 mars të vitit 1932, familja e tij u detyrua të arratisej në fillim nga Hitleri e më pas nga Stalini. Kapuscinski rikthehet në qytetin e tij të lindjes 45 vjet më pas sepse nuk u lejua kurrë të shkelte aty. “Varri i gjyshes sime është fakti që unë kam lindur në këtë qytet”-thotë gazetari polak që pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Afrikë. U diplomua për Histori Arti në Varshavë dhe filloi të shëtiste botën ku punonte si korrespondent i disa gazetave polake edhe pse pa para. Ky ishte fati i tij. Duke sjellë lajme minutë pas minute ai u bë një njeri i rëndësishëm për shumë media dhe tashmë ishte korrespondenti i kërkuar nga të gjithë. Librat erdhën më pas. Ato që ai nuk mund t’i thoshte në gjuhën e gazetarisë, i thoshte përmes librave. Në librat e tij sillte ndjesitë, humanizmin e tragjedive në të cilat kishte qenë dëshmitar faqe pas faqeje. “Sa më shumë e njohim botën, aq më shumë kuptojmë sesa të panjohura pambarim mbart ajo: jo në sensin hapësinor, por në sensin e pasurive kulturore ka shumë të gjëra për t’u njohur”- thoshte Kapuscinski. E thërrsinin “mbreti i reportazheve”. Por sigurisht që ai ishte gazetari-shkrimtar më i madh i kohëve tona. Një vagabond i lajmit që ndodhte para syve tanë.
Gazetari dhe shkrimtari i paragjykuar
Në fakt ai u paragjykua më shumë pas vdekjes sesa sa ishte gjallë. U bënë përpjekje për të ndaluar madje dhe publikimin e autobiografisë e tij “Kapuscinski-non Fiction” shkruar nga Artur Domoslavski. Ishte pikërisht vejusha e gazetarit, e cila në fillim bashkëpunoi me autorin, duke i vënë në dispozicion të gjithë arkivin e bashkëshortit, por më pas u pendua për mënyrën sese autori kishte menduar ta sillte këtë autobiografi dhe bëri përpjekje për ta ndaluar botimin e librit, duke shkuar deri në dyert e gjykatës. Por “bomba” plasi me “Kapuscinski: reporter apo tregimtar?” ku hidhen dyshime mbi ndikimet e tij me elementët e fictionit në raportimet e lajmeve dhe në librat e tij, duke i lexuar ato nën dritën e bashkëpunimit me shërbimet sekrete komuniste të PRL (Republika Popullore e Polonisë, drejtuar nga Partia Komuniste Polake nën influencën e Bashkimit Sovjetik, nga viti 1952-1989). Dihet fakti se Kapuscinski ka punuar në pjesën më të madhe të jetës së tij si reporter i Agjensisë së Lajmeve Polake PAP dhe ishte gazetar i bllokut socialist, pa e fshehur kurrë simpatinë e tij për të majtën. Por gjithsesi ky nuk konsiderohet një motiv për të vënë në dyshim vlerat e tij jo vetëm si gazetar por edhe si shkrimtar. Përndryshe, me të njëjtin sy paragjykues apo me të njëjtin metër ideologjik duhet të shohim apo të masim edhe korrespondentët amerikanë gjatë Luftës së Ftohtë në raportimet e tyre për situatat në Vendet e Botës së Tretë. Në të dy rastet, por sidomos në rastin e fundit me “Kapuscinski: reporter apo tregimtar?”, autori Vładysłav Bartoszevski, një personazh i njohur në Poloni si politikan, shkrimtar, historian, ish-i burgosur në kampin e Aushvicit, 2 herë ministër i Jashtëm i Polonisë etj., u sulmua në mjediset intelektuale si një njeri në kërkim të sensacionit me çdo kusht, për të ngritur vlerat e tij duke ulur vlerat e “Maestros”, siç e vlerësojnë në Poloni Ryszard Kapuscinski-n i cili pak a shumë shihet atje si Kadareja jonë këtu.