Barnat e shtrenjta, një recetë rimbursohet mbi 1.5 milionë lekë në muaj
Nëse nuk do të rimbursohej nga shteti, kostoja e kurimit të një sëmundjeje të rëndë do të ishte e papërballueshme nga vetë pacientët. Megjithë pakënaqësitë e pacientëve për barnat me rimbursim dhe ato të shtrenjta, vetëm një recetë me ilaç të shtrenjtë rimbursohet mbi 1.5 milionë lekë në muaj për pacient. Përpos sëmundjeve me përdorim masiv, në listën e rimbursimit janë edhe disa barna mjaft të shtrenjta, të cilat mbulojnë disa sëmundje të veçanta. Vit pas viti ISKSH ka pasuruar listën e barnave të rimbursuara edhe me barna për mjekimin e këtyre sëmundjeve, të cilat do të ishin të papërballueshme nga vetë pacienti, pasi një recetë mujore kap shifra mbi 150 mijë lekë të reja. Për shembull, bari që përdoret për diagnozën e leucemisë u fut në listën e barnave të rimbursuara në vitin 2009. Që në këtë vit ky bar me gjithë numrin e vogël në dukje të pacientëve zë një peshë specifike të lartë në shpenzimet e rimbusimit. Sipas të dhënave nga IKSKSH, për 9-mujorin e vitit 2010 vlera e rimbursimit të këtij bari është 148 686 012 lekë ndaj 4 377 958 190 lekë që janë shpenzimet e rimbursimit në total për këtë 9-mujor. Kështu, vlera mesatare e recetës për këtë bar është 332 631 lekë për recetë në muaj. Përsa i përket listës së barnave me rimbursim, sipas ISKSH-së, pensionistët janë një ndër kategoritë kryesore me peshën specifike më të madhe si në numrin total të recetave ashtu edhe në shpenzimet e rimbursimit të barnave nga ISKSH. Të dhënat tregojnë se për vitin 2010 kjo kategori në krahasim me 9-mujorin e vitit 2009 ka pasur një rritje të madhe si në numrin e recetave me një diferencë prej 180 710 receta më shumë për 2010-n, por edhe me një rritje të shpenzimeve faktike të rimbursimit në vlerën 306 035 mijë lekë më shumë. Ndërkaq, vlera mesatare e recetës për vitin 2010 është rritur ndjeshëm me 64 lekë për recetë. Sipas ISKSH-së, rritja e të gjithë treguesve tregon për rritjen e cilësisë dhe numrit të barnave të shtuara në listën e barnave të rimbursuara të vitit 2010, gjë të cilën e fakton rritja e madhe e vlerës së recetës. Po ashtu, kategoria e pensionistëve futet në kategoritë me sëmundje kronike, të cilat marrin recetë të përmuajshme dhe në rastet më të shumta edhe 2-3 receta në muaj, pasi janë pacientë me një sërë diagnozash si: hipertension, diabet melitus, insuficience kardiake, hipoplazi e prostatës etj. Të gjitha këto diagnoza zënë vend të konsiderueshëm në shpenzimet faktike të rimbursimit.