Skënderbeu hap kampionatin me një penallti-hije!
Ishte një nga ato ndeshjet që i kishte të gjitha. Një stadium të tejmbushur, luftën e fortë sportive, kartonët e verdhë e të kuq, si dhe penallti të dyshimtë. Nga 90 minutat e djeshme vlen të theksohet vetëm një episod: Rafael Soza përfiton nga një gabim foshnjarak i mbrojtjes vendëse dhe mësyn në zonën e rreptësisë. Portieri Spaho kërkon të rrëmbejë topin, por kupton se është i mposhtur në duelin e shpejtësisë me argjentinasin, ndaj nuk zgjat duart. Soza rrëzohet, por pamjet televizive tregojnë fare qartë se lojtari i Skënderbeut bie përpara se Spaho ta prekë. Për Jeminin, që kërkon ndihmën e asistentit në këtë rast, është penallti. Shkëmbi merr përsipër ekzekutimin dhe e dërgon topin nga ana e kundërt e kërcimit të Spahos. 1-0 dhe stadiumi “Skënderbeu” është në ekstazë.
Pjesa tjetër e ndeshjes nuk dhuron shumë. Ndonjë rast i shpërdoruar dhe kartonin e kuq të Devollit, por që nga mënyra sesi luajti Flamurtari me 10 vetë, mungesa e tij nuk u ndje aspak. Skënderbeu rihap luftën për titullin kampion duke iu afruar vetëm 4 pikë Flamurtarit, që gjithsesi ka një avantazh të mirë për të administruar deri në fund. Në përfundim të ndeshjes gëzojnë tifozët korçarë, por edhe ata vlonjatë që përshëndesin skuadrën e tyre, çka sjell irritim mes palëve dhe degjenoron në sende të hedhura kundër ekipit mik. Tribuna VIP gëzon gjithashtu. Presidenti Zeqo, ministri Bode dhe ish-zv/kryeministri Meta festojnë fitoren e Skënderbeut.
Magani: Skënderbeu i avantazhuar nga gjykimi!
Nuk mund të jap një version të saktë, por për mendimin tim ajo nuk ishte penallti. Kur janë dy skuadra kryesuese, duhet sa më shumë ndershmëri. Ishalla ka qenë gabim njerëzor, por nuk ma do mendja, pasi anësori ka qenë mjaft pranë. Kartoni i Devollit? Ai moment mund të ishte evituar, pasi nuk ishte ndonjë rast flagrant. Duke qenë se ndeshja ishte e tensionuar, gjyqtari mund të mos kishte marrë ndëshkim kaq kapital. Pjesa e dytë ka qenë shumë e mirë për ne, edhe pse me një lojtar më pak. Skuadra ka dhënë më të mirën në fushë. Pavarësisht kësaj humbjeje asgjë nuk ka mbaruar. Kemi edhe 4 pikë avantazh, kemi edhe 12 ndeshje për të luajtur. Edhe nëse do të kishim fituar, titulli ende do ishte i hapur. Skuadra e Skënderbeut është paska e avantazhuar prej gjykimit. Në aspektin sportiv atmosfera shumë e mirë, por tifozëve korçarë nuk u shkonte kjo armiqësi kaq e madhe pasi jemi sharë 90 minuta në kor,” ka deklaruar trajneri Magani në përfundim të ndeshjes
Shpëtim Duro: Ta gëzojmë këtë fitore
Trajneri i emëruar pak ditë më parë në krye të Skënderbeut, ndjehet mirë pas suksesit të djeshëm. “Ishte e rëndësishme të fitonim sepse luanim kundër vendit të parë dhe jam i kënaqur me këtë sukses. Kampionati është ende i gjatë, por ta gëzojmë këtë fitore sot sepse na mungonin 4-5 lojtarë. Më pas, do të mendojmë për ndeshjet e tjera, duke i marë një e nga një,” ka deklaruar Duro në përfundim të ndeshjes.