E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’i hiqen barrierat

Me ligjin e ri për Trepçën, që pritet të votohet në Kuvendin e Kosovës kah fundi i muajit shtator, Agjencia Kosovare e Privatizimit do ta marrë nën kontroll të plotë gjigantin metalurgjik Trepça. Me këtë ndërmarrja shpëton nga administratori i likuidimit, por jo edhe nga moratoriumi. Për drejtorin e Trepçës, Ferat Shala, vazhdimi i mbikëqyrjes së kushtëzuar është pengesë për zhvillimin e kësaj ndërmarrjeje. Nga Zekirja Shabani më 11 shtator 2011 në ora 08:18

Nëse nuk ua prish planet Kuvendi i Kosovës, Agjencia Kosovare e Privatizimit do ta marrë nën kontroll të plotë gjigantin metalurgjik Trepça. Me këtë edhe ta forcojë imazhin e ri të agjencisë që ka prezantuar bordi i AKP-së. I ka mbetur vetëm edhe ligji për këtë ndërmarrje ta marrë bekimin e deputetëve dhe bashkë me ligjin AKP-së dhe atë të Odës së Veçantë, që është miratuar tashmë në Kuvend, t’i japë fund rregulloreve të UNMIK-ut dhe të reduktojë ndikimin e Zyrës Civile Ndërkombëtare në çështjen e privatizimit.

Kështu edhe i jepet fund dilemave për administratorin për likuidim që duhej t’i caktohej Trepçës, por jo edhe moratoriumit të kësaj ndërmarrjeje.
Drejtori i AKP-së, Shkëlzen Lluka, thotë se rregullorja e UNMIK-ut 2005/48 është zëvendësuar me ligjin e ri mbi riorganizimin që do të sigurojë që riorganizimi i Trepçës të menaxhohet dhe kontrollohet nga Agjencia në të mirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Me këtë ligj, administrator i vetëm i Trepçës është AKP. AKP në bashkëpunim me Odën e Veçantë do të bëjë menjëherë shpalljen e moratoriumit, do të thotë vazhdimin e moratoriumit”, ka pohuar Lluka.

Ndërkohë, ai thotë se Agjensioni do angazhojë ekspertë për të shqyrtuar kërkesat e kreditorëve. Ndryshe nga deri më tani, kreditorët do të kenë një afat për t’i paraqitur kërkesat e tyre dhe për herë të parë kjo bën që të dihet vlera e saktë e kërkesave kreditore kundër Trepçës.

Sipas Llukës, AKP do të fillojë angazhimin e ekspertëve për të bërë planin e riorganizimit të Trepçës, pasi në ligj nuk parashihen mënyra se si do të shkojë procesi i Trepçës - a do të privatizohet apo çfarë do bëhet me të.
Por, për drejtorin aktual të kombinatit Trepça është e papranueshme të vazhdohet moratoriumi mbi këtë ndërmarrje dhe në të njëjtën kohë të pretendohet zhvillim i saj.
“Ne gjithnjë, edhe në strategjinë për Trepçën, kemi kërkuar që të na hiqen bllokadat. Por, nëse vazhdon moratoriumi, prapë do të jetë e njëjta situatë dhe nuk do të kemi mundësi të veprojmë”, pohon Shala.

Sipas tij, në strategjinë për Trepçën ka qenë e paraparë në detaje si do të bëhej riorganizimi i fabrikës dhe nuk duhet të shpenzohet shumë kohë në hartimin e planeve të reja për këtë çështje.

Megjithatë, me ligjin e ri, Agjencia pritet të angazhojë ekspertë ndërkombëtarë për të dizajnuar planin e riorganizimit, që do të jetë më i përshtatshmi për këtë ndërmarrje komplekse së bashku me ekspertët e specializuar ligjorë për t’i trajtuar ankesat.

“Agjencia mbetet e bindur që çdo plan për revitalizimin e Trepçës duhet të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur, mirëpo duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare në lidhje me riorganizimin dhe ristrukturimin e ndërmarrjeve strategjike”, thuhet në raportin e AKP-së për strategjinë e privatizimit.
Një hap i tillë, sipas zyrtarëve të këtij institucioni, do të kërkojë angazhim të konsiderueshëm të të gjitha palëve të interesit për shkak se revitalizimi i suksesshëm i Trepçës kryesisht nënkupton që ndërmarrja duhet të lirohet nga problemet e trashëguara dhe të përparojë përsëri. Në ish Jugosllavi, kjo ishte një ndër punëdhënësit më të mëdhenj me më shumë se 20,000 punëtorë. Trepça përbëhet nga 40 ndërmarrje vartëse

Dhe pasuria e saj minerare që mund të nxirret, sipas vlerësimeve të ekspertëve, sillet prej 8 deri 12 miliardë euro.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›