Ahtisaari është baza

Ideja për një “Ahtisaari plus” ose modeli i Katalonisë për zgjidhjen e problemeve në veriun e Kosovës është kundërshtuar të shtunën nga Zyra e Mbikëqyrësit të pavarësisë së Kosovës.
Një ditë më parë, Euobserver raportoi se Shefi i ICO’së, Peter Feith ka përmendur këto dy modele si zgjidhje afatgjate për tejkalimin e problemeve në Kosovë.
Zyra e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar nëpërmjet Zëdhënësit Dren Selimi ka mohuar se Peter Feith po kërkon zgjidhje për Kosovën jashtë Pakos së Ahtisaarit, në bazë të së cilës është shpallur pavarësia.
“Siç e tregon edhe trasnkripti i intervistës, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar nuk e ka përmendur shprehjen “Ahtisaari plus” e as nuk ka propozuar ndonjë model apo pako tjetër nga ajo që është në planin e Ahtisaarit”, ka thënë Selimi në një përgjigje përmes postës elektronike.
“Në fakt ai ka sugjeruar se më shumë njerëz janë duke e kuptuar dhe kanë filluar të flasin rreth përfitimeve të Kosovës dhe komunave veriore nga Plani i Ahtisaarit ashtu siç është i shkruar”, ka shtuar ai.
Megjithëkëtë, në intervistën e dhënë më herët, Feith, duke folur për problemet në veri, ka përmendur rajonin e Katalonisë, e cila ka një autonomi të madhe brenda territorit të Spanjës.
“Në Spanjë keni Kataloninë, për shembull – ajo është pjesë e Spanjës, por janë shumë autonom”, ka thënë Feith pa e sqaruar deri në fund se çka nënkupton kjo për Kosovën.
Por, qëndrimin e Feithit është munduar të sqarojë Zëdhënësi i ICO’së.
Ai ka mohuar se mbikëqyrësi i pavarësisë po kërkon diçka jashtë Planit të Ahtisaarit.
“Jo”, është përgjigjur Selimi sa i përket pyetjes se a është Shefi i ICO’së që po kërkon zgjidhje përtej planit të përgatitur nga Marti Ahtisaari.
“Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar Kataloninë e ka përmendur saktësisht si një shembull të një territori me një identitet kulturor të dallueshëm, që është plotësisht i përfshirë në një territor të një shteti modern europian”, ka shtuar ai.
Sipas Selimit, ICO preferon të fokusohet specifikisht në zgjidhje kosovare të zbatueshme nga populli i Kosovës në rrethanat unike të Kosovës.
“Plani i Ahtisaarit mbetet baza për funksionimin e shtetit të pavarur të Kosovës, përfshirë edhe komunat veriore të saj”, ka deklaruar Selimi.
Ndryshe, Pakoja e Ahtisaarit, e cila nuk është miratuar në Këshillin e Sigurimit të OKB’së, vazhdon të mbetet dokumenti mbi të cilin funksionon shteti i Kosovës. Kushtetuta dhe të gjitha ligjet bazohen në Dokumentin e Ahtissarit, i cili parasheh kompetenca të mëdha për komunitetin serb.
Zbatimi i këtij plani nuk ka ndodhur në veri të Kosovës, ku institucionet e Serbisë vazhdojnë të funksionojnë dhe të pengojnë formimin e komunave të reja. Për dallim prej pjesëve të tjera, ku plani është zbatuar pothuajse plotësisht, me përjashtim të miratimit edhe të disa ligjeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore.
“Ne vazhdojmë të punojmë me Qeverinë e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës për të gjetur mënyrat më të qëndrueshme për implementimin e tij”, ka thënë zëdhënësi i ICO’së, Dren Selimi.
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës vazhdimisht kanë thënë se zgjidhjet për Kosovën duhet të gjenden në Pakon e Ahtisaarit dhe jo të bëhen aranzhime të reja.
Këtë qëndrim e ka shprehur të shtunën edhe Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj.
Në një intervistë për ANSA, ai ka thënë se Pakoja e Ahtisaarit mbetet zgjidhja e vetme për stabilitetin e Kosovës dhe Ballkanit.
“Falë Planit të Ahtisaarit, përfaqësuesit special të Kombeve të Bashkuara, të drejtat e minoritetit serb në Kosovë garantohen më shumë se në çdo shtet tjetër në Europë”, ka thënë Hoxhaj.