Arvizu: Rotacioni politik, me zgjedhje

Ambasadori amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu, duke komentuar situatën politike në vend, ka deklaruar se ajo mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut, e jo dhunës.
“Qeveritë nuk ndryshohen me protesta në rrugë, por përmes procesit elektoral. Sistemi politik i Shqipërisë duhet të funksionojë si një vend anëtar i NATO-s”, ka pohuar Arvizu.
Diplomati amerikan ka nënvizuar se treguesi kryesor për një vend anëtar të NATO-s është roli i institucioneve të pavarura.
Në këtë drejtim, ambasadori Arvizu ka shprehur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për prokurorinë shqiptare.
Në anë tjetër, prokurori amerikan Mike Cain, i cili ka mbërritur në Tiranë para pesë ditësh, ka takuar sërish prokurorët e dosjes “21 janari” në prokurorinë e Tiranës, për t’u njohur me procedurat e mbledhjes së provave për ngjarjen e demonstratës ku tre persona u vranë dhe një tjetër ka kaluar në vdekje klinike në një spital në Turqi.
Prokurori federal i SHBA, i cili ndodhet në Shqipëri pas kërkesës për asistencë teknike nga prokurorja e përgjithshme, Ina Rama, ndodhet së bashku me dy ekspertë të tjerë të Byrosë Federale të Hetimeve, FBI, edhe këta këto ditë mjaft aktivë për dhënien e ndihmës për hetimet.
Më herët Cain, së bashku me ekspertët e FBI-së, kanë qenë edhe në laboratorin e policisë shkencore në Ministrinë e Brendshme, për të kryer në mënyrë të pavarur ekspertizën e disa armëve të gardistëve që ndodheshin me shërbim në kryeministri ditën e 21 janarit.
Po kështu, prokurori federal ka kërkuar të njihet edhe me ekspertizën e mjekësisë ligjore mbi autopsinë e kryer ndaj të vrarëve përpara kryeministrisë.
Të tre amerikanët kanë asistuar përkrah prokurorëve shqiptarë përgjatë kryerjes së ekspertimit balistik krahasues mes gëzhojave të gjetura në vendngjarje dhe predhat e dala nga trupat e tre të vrarëve dhe shtatë të plagosurve.