E Diel, 1 Nëntor 2026

S’ka gjurmë për 78 vjeçaren e zhdukur nga Dranoci i Deçanit

Feçan, 9 gusht - Hajrie Alaj nga fshati Dranoc i Komunës së Deçanit është zhdukur pa gjurmë që nga e hëna e kaluar, kur edhe është parë për herë të fundit në dy vende, para shtëpisë së mallrave në Pejë dhe pas disa orëve në fshatin Zagermë të Pejës.
Ditën kur është zhdukur, siç rrëfen i biri i saj, Muharrem Alaj, 78 vjeçarja ka qenë në shoqërim të bijës së saj, mbesës dhe dhëndrit, të cilët kishin hyrë në shtëpi të mallrave të blejnë diçka dhe plakën e kanë ulur jashtë të pres, raporton KosovaLive.
“Nëna është e sëmurë nga skleroza dhe atë ditë ajo ishte lodhë pak dhe e kanë lënë të pushojë para shtëpisë së mallrave derisa të kryejnë punë. Kur ata kanë dalë pas gjysmë ore, nëna nuk ka qenë aty. Ajo është parë disa orë më vonë nga një grua në fshatin Zagermë dhe pastaj nuk është parë më”, thotë Muharrem Alaj.
Ai tregon se ditën e zhdukjes nëna e tij ka pasur të veshur një këmishë të bardh me pika të zeza, një fustan të zi dhe në kokë një shami të bardhë.
Familjarët gjatë tërë javës e kanë kërkuar te çdo i afërt i tyre, por deri tash nga Hajrie Alaj, e lindur në fshatin Logjë të Pejës, mungon çdo gjurmë, për çka familja edhe mban dertin se mos i ka ndodh ndonjë e keqe.
Zëdhënësi i policisë në Pejë, Xhevat Ibra, thotë se policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për gjetjen e gruas së zhdukur.
Në kërkim të Hajrie Alajt, policia po ndihmohet edhe nga disa pjesëtarë të KFOR-it, të cilët bashkërisht janë duke i kontrolluar të hënën edhe pjesët malore të fshatrave përreth qytetit të Pejës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›