S’lidhet me italian
Në intervistën për “Standard” Agnesa mohon zërat, së është në lidhje me Simonen, duke thënë se pavarësisht se shkojnë shumë me njëri-tjetrin dhe janë çift simpatik, ajo nuk është duke menduar për një romancë këto kohë, aq më tepër që vetëm pak javë më parë ka humbur të atin. E ngacmuar shpesh për marrëdhënien me Simone-n, Agnesa di të kthejë edhe përgjigje me shumë humor e inteligjencë, (ndryshe nga disa konkurrentë të tjerë), sidomos njërit prej anëtarëve të jurisë, Arian Çanit, i cili e ngacmoi sërish mbrëmjen e së enjtes, duke thumbuar madje se Simone mund të pëlqejë meshkujt… “Atëherë, do ta provoj njëherë me të, vetëm për të të ndërruar ty mendim”. Ishte kjo batuta e Agnesës, e cila duket se e mbron me fanatizëm partnerin e saj, i pëlqyer shumë edhe nga Mimoza Ahmeti, poetesha e cila fatkeqësisht u skualifikua mbrëmjen e së enjtes, në përballjen e saj me Eloise le Petit në “Dance off”.
Agnesa, po lodhesh më provat e përditshme të “Dancing with the stars”, apo tanimë je mësuar me këtë stil jetese?
Ditët po kalojnë shumë bukur, me prova që tashmë kanë filluar të kthehen në rutinë, por një rutinë shumë e këndshme që e shijoj shumë në çdo moment. Sigurisht që çdo javë llojet e kërcimit janë më të vështira, koha për të mësuar një kërcim është shumë më e kufizuar në krahasim me javët e para, por tani ndjehem më e sigurt në kërcim dhe po mësoj më shpejt.
Me Simone-n si po shkon? Do na e thuash apo jo? Ju të dy e pëlqeni njëri-tjetrin në mënyrë romantike, dhe a keni shanse të nisni ndonjë lidhje dashurore së bashku?
Ndjehemi shumë mirë me njëri-tjetrin si çift në skenë, por nuk kemi aspirata për të qenë çift edhe në jetë.
Ti dikur ke deklaruar se jeta jote private, në raport me atë profesionale, është e vakët. Ndoshta ka ardhur momenti të nxehet paksa?
Jam shumë profesionale në projektet e mia dhe di ta ndaj jetën private nga ajo profesionale.
Nuk të pëlqen jeta e natës, ngaqë nuk shoqërohesh shumë nëpër clube me konkurrentët e tjerë të DWS, apo thjesht nuk ke zënë mjaftueshëm shoqëri me ta?
Unë ndjehem shumë mirë me grupin e DWS, por nuk më pëlqen shumë jeta e natës. Kam dalë në rastet kur kemi qenë të organizuar që të gjithë. Unë jam duke kaluar një periudhë shumë të vështirë të jetës sime, duke qenë se para pak kohësh humba njeriun më të dashur, babanë tim dhe jam duke u përkushtuar shumë që të paraqitem sa më mirë në këtë garë, ashtu siç dëshironte edhe ai. Jam e përkushtuar vetëm në pune dhe jo në jetën e natës, sikurse s’jam e gatshme as për të filluar ndonjë lidhje dashurie.
Simone, partneri yt, është shprehur me shumë superlativa për ty. Ai ka falënderuar produksionin që i ke rënë ti si partnere. Do thoje edhe ti të njëjtën gjë për të, apo dikush tjetër nga balerinët do të të pëlqente më shumë?
Unë jam jashtëzakonisht e kënaqur që kam Simone-n partner në këtë gare, e kam thënë dhe vazhdoj ta përsëris, sepse Simone përveç faktit që është një balerin i dalluar, është edhe një mësues shumë i aftë dhe motivues.
Po kështu, Simone ka thënë se do t’i pëlqente të ishte dhëndër në Shqipëri…
Hmmm, nuk e di nëse ka ndonjë mashkull të huaj që ka takuar femra shqiptare dhe nuk është shprehur njëlloj. Siç duket, mendojnë që jemi femra ideale për të krijuar familje.
Ti vetë je shprehur që do kishe preferuar që partneri yt të ishte shqiptar, apo jo? I qëndron ende këtij mendimi?
Po, e kam thënë dhe ashtu e mendoj. Unë udhëtoj shumë, takoj shumë të huaj, por asnjëherë nuk e kam menduar të lidhem me një të huaj. Thonë që dashuria bën çudira, mbase vazhdoj të mendoj kështu përderisa nuk kam provuar të dashurohem me një të huaj…
Kush të bezdis më shumë nga ata të jurisë së “Dancing”, Çani me batutat e tij?
Unë deri më tani kam marrë vetëm komente pozitive nga anëtarët e jurisë, por edhe sikur të ishte ndryshe, nuk mendoj që do të bezdisesha. Jam duke e shijuar çdo moment tek “Dancing with the Stars” dhe jam shumë e kënaqur që jam pjesë e këtij formati në Shqipëri. Të tjerat janë pjesë e spektaklit…
Agnesa, a është qëllimi yt të arrish “Gentën e vjetshme”, në kuptimin që të shkosh në finale sikurse ajo?
Do thoja që Genta na e ka hapur rrugën neve të Kosovës, por njëkohësisht edhe na e ka vështirësuar, sepse ajo ka kërcyer aq bukur dhe e shoh që si juria ashtu edhe publiku presin shumë nga ne konkurrentët e Kosovës këtë vit. Unë do dëshiroja që “Genta e vjetshme” të ketë vijues të tjerë të suksesshëm nga Kosova.
Cili është sekreti i pamjes tënde rinore? Them rinore sepse që kur je shpallur Miss shumë vite më parë, nuk ka ndryshuar asgjë tek ty. Bisturi jo e jo, po duket sikur edhe koha të ka thënë “stop”…
Jam akoma e re unë, hahahah. Nuk kam ndonjë sekret, unë ndihem shumë mirë me veten time dhe ndoshta ajo qetësia shpirtërore reflekton dhe sfidon kohën dhe vështirësitë e profesionit.
Së fundmi, pas Dancing with the Stars” cila është sfida tjetër që i ke vënë vetes?
Jam akoma në mes të sfidës së “Dancing with the Stars” dhe kam aq shumë projekte të grumbulluara që po më presin, saqë po të filloj t’i mendoj tani, më kap frika se s’do arrij t’i mbaroj në kohë dhe do iki menjëherë në Kosovë pastaj (Qesh), kështu që po më pëlqen të përqendrohem vetëm te DËS dhe të shijoj çdo moment deri në maksimum.