E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhaj takoi ministrat Hague dhe Lidington

Nga Express më 09 maj 2011 në ora 20:40

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Londër, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, William Hague dhe ministrin për Evropë, David Lidington.

Të dy nikoqirët i kanë uruar mirëseardhje ministrit Hoxhaj, duke e siguruar atë se Mbretëria e Bashkuar edhe më tutje do të mbështesë fuqishëm shtetin e Kosovës dhe perspektiven e saj evropiane, ka njoftuar MPJ, nepermes nje komunikate shtypi.

Ministri Hoxhaj i ka informuar ata për procesin e shtetndërtimit në Republikën e Kosovës, për progresin e brendshëm në Kosovës pas shpalljes së pavarësisë si dhe ka kërkuar nga ta mbështetje të fuqishme në përmbylljen e procesit të njohjeve për Republikën e Kosovës, në integrimin e saj në Bashkimin Evropian dhe në reformat ekonomike.

Nga ana tjetër ministri i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar, Hague ka thënë se Britania e Madhe gjithmonë ka qenë pranë popullit të Kosovës dhe do të jetë edhe në të ardhmen.

Ai ka siguruar ministrin Hoxhaj se edhe më tutje shteti i tij do të angazhohet për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Edhe ministri për Evropë, David Lidington ka thënë se Britania e Madhe dhe Republika e Kosovës kanë marrëdhënie tradicionale. “Në këtë takim unë kam siguruar ministrin Hoxhaj se ne do ta mbështesim Republikën e Kosovën në procesin e integrimeve rajonale dhe ndërkombëtare”, ka thënë Lidington

Në takim po ashtu është diskutuar për mundësinë e investimeve në Republikën e Kosovës nga biznese të fuqishme Britanike, që do të ndihmonte zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe forcimin e lidhjeve me këtë shtet.

Gjatë qëndrimit në Britani të Madhe, ministri Hoxhaj ka takuar personalitete të larta dhe diplomat të shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën si dhe disa deputetë të Parlamentit Britanik.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›