Curri, i lumtur me rikthimin, do fitore
Me ekipin po stërvitet edhe Debatik Curri, i cili do të jetë në dispozicion të kuqezinjve pas një viti mungesë, shkaku i lëndimit. Ai pret që trajneri i ri i kuqezinjve, Gianni De Biasi ta aktivizojë që nga minuta e parë në ndeshjen me Islandën.
“Jam i gëzuar për rikthimin dhe shpresoj që të kemi rezultat pozitiv në këto dy ndeshje (kundër Islandës dhe Sllovenisë). Forca kryesore e nordikëve është shtatlartësia dhe ata do të mundohen të shfrytëzojnë rastet për të na ndëshkuar në lojën në ajër”, theksoi Curri.
Ndërsa mesfushori Ervin Bulku në ndeshjen e së premtes synon tri pikë. “E rëndësishme është të marrim tri pikët në ndeshjen e së premtes, sepse Islanda pak a shumë është në nivelin e Qipros. Këta janë kundërshtarët tanë direktë dhe në këto ndeshje duhet të marrim patjetër pikë.”
Në eliminatoret e Botërorit “Brazil 2014”, Shqipëria bën pjesë në Grupin E, derisa ndodhet në vendin e tretë me 3 pikë, po aq sa Islanda, kundërshtari i së premtes i kuqezinjve. Ndërsa të martën, Shqipëria në ‘Qemal Stafa’ do ta presë Slloveninë.