S’ka rivotim në Gjilan, vendos Gjykata Supreme

Gjykata Supreme e Kosovës ka anuluar vendimin e KZAP-it për përsëritjen e zgjedhjeve në komunën e Gjilanit. Burime të Kosovapress-it bëjnë të ditur se këtë vendim e posedon edhe KQZ-ja. Kosovapress ka siguruar edhe faksimilen e vendimit të Gjykatës Supreme, ku jepen sqarimet e vendimit të marrë.
Vendimi për anulim është marrë të martën, nga kolegji i gjyqësor në përbërje Vjosa Nimani – Zylfiu, kryetare, Xhyran Dema dhe Shahdane Agani, anëtarë.
“Anulohet vendimi i Komisionit për Ankesa dhe Parashtresa me numër 508/2009, të datës 19 dhjetor 2009, vetëm në pjesën në të cilën është udhëzuar KZQ të urdhërojë përsëritjen e votimeve për kryetar komune në Gjilan”, thuhet në vendimin e trupit gjykues.
Në arsyetimin e Gjykatës Supreme, thuhet se pasi shqyrtojë vendimin e kundërshtuar dhe të gjitha shkresat e kësaj çështje, si dhje pas vlerësimit të thënieve në padi, kolegji ka gjatë se padia është e bazuar.
Sipas vendimit, Gjykata Supreme ka konstatuar, se aktvendimi i kundërshtuar përmban të meta të tilla, për shkak të të cilave nuk mund të shqyrtohet ligjshmëria e tij, këto të meta qëndrojnë në shkeljen thelbësore të dispozitës së nenit 84.2c të Ligjit të procedurës administrative.
Padia ndaj vendimit të KZAP-it është ngritur nga kandidati i PDK-së në Gjilan, Qemajl Mustafa, i cili në dy raundet zgjedhore është votuar më shumë se kundërkandidati i tij nga LDK, Fatmir Rexhepi.
Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta ka thënë të martën se nuk mund të përgjigjet sa i përket vendimit të Gjykatës Supreme, ngase një vendim i tillë ende nuk ka ardhur në KQZ.
“Nuk di se si t’iu përgjigjem. Ju dëgjuat sot se paska qenë në mjetet e informimit se Gjykata Supreme paska marrë një vendim. Unë anëtarët e KQZ-së i njoftova se ne kemi marrë një vendim të Gjykatës Supreme, mirëpo ky vendim nuk kishte të bëjë me rastin e Gjilanit. Andaj unë nuk jam në dijeni se kur Gjykata Supreme do të na dërgojë këtë vendim”, ka thënë Lushta.
Lushta ka theksuar se në momentin kur vendimi nga Gjykata Kushtetuese do të vijë në KQZ, ajo do t’i njoftojë anëtarët e KQZ-së.
Ndërkohë, në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, Burim Ahmeti, ka prezantuar një raport të detajuar për zgjedhjet e 31 janarit në komunën e Prizrenit dhe atë të Lipjanit.
Me rekomandimin e QNR-së në disa vendvotime janë hequr disa fletëvotime të pavulosura, për të cilat anëtari i PDK-së ka thënë se nuk do duhej të miratohej një rekomandim i tillë, por do duhej të anulohej ai vendvotim.