SANTORINI – Mitsotakis përjashton një skenar katastrofik, pavarësisht tërmeteve

SANTORINI (Greqi), 7 shkurt /ATSH-AFP/ – Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i cili po viziton sot Santorinin, përjashtoi një skenar katastrofik për ishullin turistik, i cili po përjeton një aktivitet intensiv sizmik, një fenomen i paprecedentë që deri tani nuk ka shkaktuar viktima apo dëme.
”Nuk besojmë se do të ndodhë ndonjë gjë katastrofike”, siguroi ai, pas një takimi në ishull me ministrin e Mbrojtjes Civile, Vassilis Kikilias, autoritetet lokale dhe shkencëtarët.
Ishulli vullkanik me famë botërore u vendos në gjendje emergjence nga Mbrojtja Civile të enjten deri më 3 mars që ”të plotësojë nevojat e jashtëzakonshme dhe të menaxhojë pasojat e aktivitetit sizmik”.
Kreu i qeverisë siguroi se “i gjithë sistemi shtetëror është mobilizuar” dhe se qeveria dhe shkencëtarët vazhdojnë “të monitorojnë këtë fenomen gjeologjik aktiv”.
Duke u kërkuar sërish banorëve të “qëndrojnë të qetë”, Kyriakos Mitsotakis tha se ”masat parandaluese dhe kontrolli i ndërtesave po kryheshin nga ekipe inxhinierësh”.
Më shumë se 50 tërmete janë regjistruar në 12 orët e fundit, më i forti prej të cilëve, me magnitudë 4,8 ballë Rihter, goditi në orën 07:16 GMT, në një thellësi prej dy kilometrash në det, sipas Observatorit të Athinës.
Që nga 26 janari, më shumë se 7 700 tërmete kanë tronditur rajonin e Santorinit, më i forti prej të cilëve ishte mëngjesin e së enjtes (5,2), sipas laboratorit të sizmologjisë të Universitetit të Athinës (EKPA).
Më shumë se 11 000 banorë dhe punëtorë sezonalë janë larguar nga Santorini.
Në vitin 2023, ishulli mirëpriti 3,4 milionë turistë.
Kostas Papazachos, një profesor i sizmologjisë, paralajmëroi se “lëkundjet do të vazhdojnë për dy ose tre javë”./ a.jor.