E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Goditen disa raste kontrabande, procedohen 11 shtetas

TIRANË, 7 shkurt /ATSH/ Departamenti i Policisë Kufitare ka shtuar kontrollet në hyrje/dalje të vendit, për të parandaluar, konstatuar dhe goditur paligjshmëritë kufitare.

Ky departament ka goditur disa raste të kontrabandës, tentativës për të udhëtuar me dokumente false, mosdeklarimit të parave dhe kundërshtimit të punonjësve të aeroportit.

Për këto paligjshmëri janë proceduar penalisht, 11 shtetas, të huaj dhe shqiptarë si dhe janë sekuestruar 716 steka me cigare, 11 100 euro dhe 5 dokumente false.

Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve dhe verifikimeve që po kryhen në të gjitha pikat e kalimit, nga shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore, u goditën 4 raste të paligjshmërive në kufi.

Konkretisht, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit rumunë E. N., 24 vjeç, A. C., 23 vjeç, S. S., 37 vjeç, si dhe për shtetasin kosovar Sh. H., 44 vjeç, të cilët udhëtonin drejt Mbretërisë së Bashkuar. Nga kontrollet e Policisë Kufitare të Rinasit, në valixhet e shtetasve E. N. dhe A. C., u gjetën 400 steka me cigare, në valixhen e shtetasit S. S., u gjetën 260 steka me cigare, dhe në valixhet e shtetasit Sh. H., u gjetën 56 steka me cigare, të dyshuara të kontrabanduara.

Gjithashtu nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit K. A., 40 vjeçe, V. K., 55 vjeç, E. Sh., 32 vjeç dhe U. Th., 20 vjeç. 40-vjeçarja dhe 55-vjeçari paraqitën në sportelin e aeroportit të Rinasit, në dalje të Shqipërisë, pasaporta shqiptare, me vula të dyshuara false, ndërsa 2 shtetasve të tjerë, nga kontrollet në dalje, iu gjetën 3 dokumente kroate dhe polake, të dyshuara false.

Nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. L., sepse tentoi të fuste në Shqipëri, nëpërmjet PKK Morinë, 11 100 euro, pa i deklaruar.

Policia kufitare nisi gjithashtu procedimin në gjendje të lirë për shtetasit A. T., 38 vjeç dhe J. R., 33 vjeçe, pasi kanë kundërshtuar punonjësen e aeroportit dhe kanë tentuar të dalin në pistën e avionëve nëpërmjet një porte të ndryshme nga ajo e përcaktuar për udhëtimin e tyre.

Materialet procedurale iu referuan prokurorive kompetente, për veprime të mëtejshme.

1 nga 2

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›