SCB Viktoria Köln - FC Prishtina 1:3

Fatmir Bytyci (Prishtinë)- Kampionia e Kosovës në Futboll, u është rikthyer fitoreve në arenën ndërkombëtare. Prishtina ka mundur 3:1 skuadrën gjermane SCB Viktoria Köln, në ndeshjen e pestë miqësore ndërkombëtare. Ishte Ylli Hoxha, Suad Saliagiq dhe Enis Fetahu që shënuan për "bardhekaltrit".
"Dominuam gjatë tërë ndeshjes, por përballë kishim një skuadër shumë jokorrekte, të cilës i ndihmoi shumë edhe gjykimi i treshes së gjyqtarëve gjermanë. Nën këto kushte, ne shënuam tri gola, por humbëm edhe 4-5 raste të qindpërqindta. Në pjesën e dytë të lojës iu sugjerova lojtarëve që të kenë kujdes dhe të ruhen nga ndonjë lëndim eventual për shkak lojës të ‘fëlliqtë' të vendësve", ka thënë për ueb-faqen "Prishtinafc.com", pas ndeshjes.