SERBI – Dhjetëra mijëra qytetarë protestojnë në kujtim të viktimave të stacionit të trenit në Novi Sad

NOVI SAD, 1 shkurt /ATSH-AFP / – Dhjetëra mijëra studentë po demonstrojnë në Novi Sad për të shënuar tre muaj nga shembja vdekjeprurëse e çatisë së një stacioni treni në qytet, e cila shkaktoi një lëvizje proteste mbarëkombëtare kundër autoriteteve.
Protestuesit kanë bllokuar tre urat kryesore që përshkojnë Danubin, në qytetin e dytë të vendit që nga ora 15:00 (14:00 GMT) dhe janë zotuar të qëndrojnë të paktën tre orë si edhe 24 orë në njërën prej tyre.
Protestat janë zhvilluar pothuajse çdo ditë që kur 15 njerëz vdiqën kur çatia e betonit e stacionit të trenit, të rinovuar rishtazi në Novi Sad, ra më 1 nëntor.
Aksidenti ka rindezur zemërimin në Serbi për korrupsionin dhe mungesën e perceptuar të mbikëqyrjes së projekteve të mëdha të ndërtimit dhe e detyroi kryeministrin të japë dorëheqjen.
“Nuk ka kthim prapa, nuk ka frikë dhe ne nuk do të dorëzohemi”, tha Jelena Vuksanoviç, një studente filozofie në Novi Sad, ndërsa protestuesit u mblodhën në qendër të qytetit.
Protestuesit marshuan duke mbajtur flamuj dhe pankarta dhe duke brohoritur slogane kundër korrupsionit.
Studentët kanë marrë drejtimin e lëvizjes protestuese, një nga më të mëdhatë në Serbi në vitet e fundit.
Largimi i kryeministrit Millosh Vuçeviç, i paralajmëruar të martën, nuk i ka bindur studentët të zhbllokojnë universitetet që kanë pushtuar prej javësh.
Ata besojnë se kjo nuk i plotëson kërkesat e tyre.
Presidenti Aleksandar Vuçiç, i cili ka qenë duke u lëkundur mes thirrjeve për dialog dhe akuzave për ndërhyrje të huaja, fali të mërkurën 13 personat e arrestuar që nga fillimi i lëvizjes dhe tha se do të publikohen dokumente të reja në lidhje me punën në stacion./ a.jor.