SERBI – Mijëra persona protestojnë në qendër të Beogradit

BEOGRAD, 15 mars /ATSH/ – Në orën 16:00 ka filluar zyrtarisht protesta në Beograd. Dhjetëra mijëra qytetarë janë mbledhur në rrugët kryesore të Beogradit pas thirrjes së studentëve.
Protesta vjen me kërkesë të studentëve, të cilët kanë bllokuar universitetet në këtë shtet që tre muaj e gjysmë, duke kërkuar përgjegjësi politike dhe penale për vdekjen e 15 personave, si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.
Protesta në Beograd është organizuar pas marsheve masive që janë organizuar nga studentët në Novi Sad, Kragujevc dhe Nish.
Mijëra studentë kanë mbërritur në Beograd në mbrëmjen e së premtes, pas një rruge të gjatë që kanë bërë prej rajoneve të ndryshme të Serbisë.
Rreth 10 ditë para protestës, një grup i quajtur “Studentët 2.0” është mbledhur në Parkun e Pionierit në Beograd, duke kërkuar që t’iu jepet fund bllokadave në fakultete.
”Jam i bindur që do ta përballojmë gjithë presionin dhe sulmet e ditës së sotme”, deklaroi presidenti serb Vuçiç.
Peesident ka vëzhguar nga afër punimet e një kantieri ndërtimi EXPO dhe ka thënë që është i bindur se “ do të ruhen paqja dhe stabiliteti”.
“Jam i bindur që sot do ta përballojmë gjithë presionin, sulmet dhe do të ruajmë paqen dhe stabilitetin. Dhe më pas do të fitojmë në të ardhmen”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në Instagram.
“Njerëzit kanë ëndrra të ndryshme. Disa ëndërrojnë për të shkatërruar diçka apo dikë, disa ëndërrojnë të ndërtojnë. Besoj se shumica e shtetasve serbë duan të ndërtojnë një Serbi më të mirë dhe më të suksesshme”, ka thënë Vuçiq të shtunën.
Dhjetëra mijëra njerëz afër Parlamentit
Dhjetëra mijëra njerëz janë mbledhur në Bulevardin ‘Mbreti Aleksandar’, afër Parlamentit të Serbisë, raporton një gazetar i Radios Evropa e Lirë prej vendit të ngjarjes.
Zona është e mbyllur për trafik.
Turma të mëdha njerëzish janë parë në qendër të qytetit, duke mbajtur flamuj të fakulteteve nëpër duar, flamuj të Serbisë, dhe simbole të qyteteve prej nga janë.
Kordoni policor rreth ndërtesës së Presidencës
Kordoni policor është stacionuar rreth ndërtesës së Presidencës së Serbisë, për të garantuar siguri në ndërtesë dhe Parkun e Pionierit, shkruan REL.
Disa qytetarë janë dëgjuar duke iu thënë zyrtarëve policorë: “Ejani se ju duam, ju jeni tanët”. /os/