Berisha: Prokuroria speciale po burgos pa prova dhe fakte

TIRANË, 15 mars/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale ku fol për procesin e integrimit të vendit në BE.
Berisha tha se “Reforma në drejtësi u mohoi shqiptarëve një proces ligjor të drejtë, prokuroria speciale po burgos pa prova dhe fakte”
Ai shto i se “hapi i parë, shumë i rëndësishëm është të ndërgjegjësojë shqiptarët dhe komunitetin ndërkombëtar për dy çështje themelore. Së pari, kjo reformë në drejtësi, që u trumpetua, ndofta dhe u shpenzua gjysmë miliardi euro nga partnerë dhe Shqipëria, pati si produkt mohimin e një procesi ligjor të drejtë të qytetarëve shqiptarë”.
“Sot, për një çështje civile qytetari shqiptar duhet të presë mbi 15 vite. Kur stoku i dosjeve që ishte para 4 vitesh 120 mijë, dhe sot është 150 mijë. Kur stoku i dosjeve për t’u shqyrtuar kërkon 20 vite, kjo do të thotë dy gjëra shumë të rënda për vendin.
E para, qytetarët nuk gëzojnë proces ligjor të drejtë. E dyta, siguri juridike në këtë vend nuk ka. Këto dy faktorë janë tmerrësisht të dëmshëm për Shqipërinë. Nuk ka investitorë të huaj që t’i besojë një vendi, ku për procesin civil duhet të presë 15 vite, ku nuk ekziston siguria juridike”, u shpreh Berisha.
Ish-Kryeministri thekson se “Shqipëria ka një Prokurori Speciale, e cila sot burgos pa asnjë provë, fakt dhe dokument drejtues kryesorë të partive opozitare. Qoftë në burg, qoftë në arrest shtëpie. Merr mandatet dhe burgo deputetë në burg. Iu garantoj shqiptarëve proces ligjor të drejtë”.
Ai tha po ashtu se Partia Demokratike një institucion për auditimin e eficencës, por edhe të shpenzimeve të bëra në këto 12 vite është vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë.
“Vetëm në infrastrukturë ka patur gjatë këtyre viteve 12 miliardë euro investim. Ju lutem, 12 miliardë euro, në një kohë kur në vitet 2005-2013, me 3.2 miliardë euro janë 11.4 mijë km rrugë. Janë ndërtuar qindra e qindra kilometra autostrada. Nga Morina në Vlorë, nga Tirana në Elbasan. Janë ndërtuar qindra e qindra rrugë të standardeve europiane 11 metra të gjera. Të më thojë kush çfarë është ndërtuar pasi është shpenzuar 12 miliardë? Mendoni Rruga e Arbrit? Jo! Rruga e Arbrit, nuk është ndërtuar me paratë e buxhetit. Është koncesion. Rrugë e cila zgjati 16 vite, dhe rrugë e cila zgjati 27 km të papërfunduarat të saj, zgjatën 12 vite. 27 km e papërfunduara të saj, që u përfundua dje tuneli”, tha Berisha.
“Vetëm tuneli i Murrizit 3.7 km mori 7 vite për tu ndërtuar. Dhe, megjithatë ndërtuesi thotë: ‘E kam ndërtuar me paratë e mia’. Rruga Ura e Limuthit Thumanë është ndërtuar 20 km me paratë e kompanisë. Më thoni atëherë, çfarë është ndërtuar me 12 miliardë të dashur qytetarë?”, vijon Berisha.
“Tuneli i Llogarasë që ka kushtuar 180 milionë, apo po shkon 200 milionë, se nuk ka përfunduar, çfarë është ndërtuar tjetër? Ku janë rrugët? Ku janë 12 miliardë?
Janë zhdukur njëlloj si me inceneratorin e Tiranës. Pra, një audit për të gjithë këto vjedhje të tmerrshme që nuk i ka njohur toka, do të bëhet”, tha Berisha.
Berisha tha se PD “do krijojë një team me njerëz të cilët do të bëjnë një audit dhe do t’i tregojnë shqiptarëve se ku shkuan dhjetëra miliardë euro në 12 vite. Edi Rama duke dyfishuar taksat, ka patur buxhet total 65 mld euro, nga të cilat, vetëm 8 mld janë përdorur për rrogat në këto 12 vite, të tjerat të gjitha, ku janë? Janë shndërruar në konto të fshehta, në vila, hotele, çdo gjë tjetër.
Erion Veliaj i kapur në flagrancë me inceneratorin 130 milionë euro që nuk ekziston nam as nishan. I kapur në flagrancë me 5D dhe hotelin që shkon 80 milionë euro, në qelq. Më i madhi në Shqipëri. I kapur në flagrancë me shkatërrime masive banesash për të vjedhur, për të fituar në çdo banesë nga 6 kate. Dhe kanë 3 muaj që vajtojnë dhe këndojnë himnin e hajdutit, gjersa Edi Rama, e pa se ai po e fundoste dhe i bëri kurthin e fundit për të cilin nuk po ndalet. Pra, është i domosdoshëm auditi. Vetëm një audit do t’i japë të mundur shqiptarëve të kuptojnë se sa shumë janë vjedhur nga kjo qeveri”, përfundoi Berisha.
/a.f/