E Enjte, 5 Nëntor 2026

SHBA – Biden: Paketë e re ushtarake prej 225 milionë dollarësh për Ukrainën

UASHINGTON, 7 qershor /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së Joe Biden ka njoftuar një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën që arrin në 225 milionë dollarë.

Biden ia dorëzoi personalisht mesazhin homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një takim në Paris.

Departamenti i Mbrojtjes i SHBA tha se paketa përfshin raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore Hawk, municione për raketat e shumta HIMARS, si dhe raketa antiajrore ”Stinger” dhe municione artilerie.

Shtetet e Bashkuara po përqendrojnë përpjekjet e tyre në forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe furnizimin e vendit me municione pas një pauze të gjatë në dërgesat.

Shtetet e Bashkuara janë aleati më i rëndësishëm i Kievit dhe furnizuesi më i madh i armëve për mbrojtjen e tij kundër Rusisë.

Sipas Pentagonit, që nga fillimi i luftës, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar ose premtuar ndihmë ushtarake për Ukrainën në një total prej më shumë se 51 miliardë dollarë.

Megjithatë, në fillim të këtij viti, një mosmarrëveshje e brendshme politike në Uashington bllokoi furnizimet me armë të SHBA për disa muaj.

Kongresi më në fund autorizoi një projektligj për Ukrainën në prill, i cili lejoi paketat e reja të ndihmave./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›