SHBA – Biden kërkon amendament kushtetues për imunitetin presidencial

UASHINGTON, 16 janar /ATSH-DPA/- Në fjalimin e tij të lamtumirës si president i SHBA-së, Joe Biden bëri thirrje për një amendament kushtetues mbi imunitetin presidencial, në një ndarje të dukshme ndaj pasuesit të tij, Donald Trump.
“Ne duhet të ndryshojmë Kushtetutën për të bërë të qartë se asnjë president nuk është i imunizuar nga krimet që ai ose ajo kryen gjatë kohës që është në detyrë”, tha Biden në fjalimin e tij drejtuar kombit nga Zyra Ovale.
“Fuqia e presidentit nuk është e pakufizuar. Nuk është absolute. Dhe nuk duhet të jetë”, tha Biden.
Biden, 82 vjeç, do t’ia dorëzojë presidencën Trumpit të hënën, pasi republikani arriti një fitore të madhe në zgjedhjet e nëntorit.
Sipas një vendimi të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë të SHBA-së në korrik, ish-presidentët do të kenë imunitet të gjerë nga ndjekja penale për akte zyrtare, duke shënuar një fitore të madhe për Trump.
Kongresi mund ta ndryshojë atë vendim historik me një amendament të Kushtetutës, por procesi është jashtëzakonisht i vështirë.
Kërkohet mbështetja e dy të tretave si në Dhomë ashtu edhe në Senat, dhe më pas ratifikimi i vendimit nga tre të katërtat e shteteve. //a.i/