E Enjte, 5 Nëntor 2026

SHBA – Blinken: Irani i aftë të prodhojë shpejt elementët për një armë bërthamore

UASHINGTON, 20 korrik /ATSH-DPA/ – Irani është i aftë të prodhojë materiale të mjaftueshme për t’u përdorur për një armë bërthamore brenda një ose dy javësh, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

“Ata nuk kanë prodhuar ende një armë të tillë, por kjo është diçka që ne e ndjekim me shumë, shumë kujdes”, tha Blinken në Forumin e Sigurisë ”Aspen”, në Kolorado.

Teherani ishte zotuar të kufizonte programin e tij bërthamor në një traktat historik në vitin 2015, por ish-presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018 duke vendosur sanksione të ashpra ekonomike.

Në këmbim, Irani rifilloi pasurimin e uraniumit dhe kufizoi inspektimet nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA).

“Irani, për shkak se marrëveshja bërthamore u anulua, në vend që të jetë të paktën një vit larg nga kapaciteti i prodhimit të materialit të zbërthyeshëm për një armë bërthamore, tani është ndoshta një ose dy javë larg nga ta bëjë këtë”, tha Blinken.

“Një nga gabimet më të mëdha që kemi bërë në vitet e fundit, ishte flakja e asaj marrëveshjeje dhe lejimi i Iranit të dilte nga ‘kutia’ që ne e vendosëm”, shtoi sekretari i Shtetit.

Në fillim të këtij muaji, presidenti i ri i Iranit, Masoud Pezeshkian përsëriti këmbënguljen e Teheranit se vendi i tij nuk po ndërtonte armë bërthamore./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›