SHBA – Donatorët paralajmërojnë për ndalimin e financimeve nëse Biden nuk zëvendësohet

TIRANË, 5 korrik /ATSH/- Presidenti Joe Biden po përballet me presionin e disa donatorëve të mëdhenj demokratë, pas shumë kritikave në lidhje me fushatën e tij për rizgjedhje, sipas BBC.
Një numër donatorësh kanë paralajmëruar publikisht se do të ndalojnë fondet nëse Biden nuk zëvendësohet si kandidat i partisë – pas performancës së tij katastrofike në debatin me Donald Trump javën e kaluar.
Mes donatorëve janë Abigail Disney, një trashëgimtare e pasurisë së familjes “Disney”, producentin e Hollivudit, Damon Lindelof, agjentin e Hollivudit, Ari Emanuel dhe filantropin dhe sipërmarrësin, Gideon Stein.
Biden po kërkon të mbështesë kandidaturën e tij këtë fundjavë, duke përfshirë një intervistë të rrallë televizive në ‘primetime’ të premten dhe një takim në Wisconsin.
Presioni mbi Biden, 81 vjeç, për t’u larguar është rritur pas debatit me rivalin e tij Donald Trump – ku në disa raste ai humbi mendjen dhe ishte i pakuptueshëm.
Ndërkohë që ai pranoi se kishte “dështuar” atë natë, u zotua se do të qëndrojë si bartës i partisë së tij kundër Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
“Unë nuk do të shkoj askund”, tha dje Biden në një mbledhje në Shtëpinë e Bardhë me rastin e 4 korrikut – Ditën e Pavarësisë në SHBA.
Abigail Disney tha për CNBC se ajo nuk besonte se Biden mund të fitonte kundër Trump në nëntor.
Ajo tha se qëllimi i saj për të tërhequr mbështetjen ishte i rrënjosur në “realizëm, jo në mungesë respekti”.
“Biden është një njeri i mirë dhe i ka shërbyer vendit të tij në mënyrë të admirueshme, por rrezikshmëria për të humbur është e lartë”, tha Disney, e cila ka mbështetur një numër demokratësh dhe kauzash demokratike ndër vite.
“Nëse Biden nuk tërhiqet, demokratët do të humbasin. Për këtë jam absolutisht e sigurt. Pasojat për humbjen do të jenë vërtet të tmerrshme”, tha ajo.
Me paralajmërimin e saj, ajo iu bashkua një grupi donatorësh të tjerë të pasur.
Stein tha për “The New York Times” se familja e tij do të refuzonte të investonte 3,5 milionë dollarë për organizatat jofitimprurëse dhe politike aktive në garën presidenciale, nëse Biden nuk tërhiqej.
Lindelof, i cili ka dhuruar më shumë se 100,000 dollarë për demokratët këtë cikël zgjedhor, shkroi një letër publike duke u kërkuar donatorëve të tjerë të ndalonin fondet e tyre në atë që ai e quajti “DEMbargo”. //a.i/