E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA – Gjykata Supreme mbështet Trump për politikën e emigracionit

UASHINGTON, 30 maj /ATSH-DPA/- Gjykata Supreme e SHBA-së vendosi sot se administrata e presidentit Donald Trump mund të zbatojë politikën e saj kufizuese të emigracionit.

Vendimi i sotëm rrëzoi një vendim të mëparshëm të një gjykate federale në Masaçusets, që pezulloi politikën e administratës.

Në mesin e prillit, gjykata e Masaçusets bllokoi revokimin nga administrata të një programi humanitar që u jepte qëndrim të përkohshëm më shumë se 500,000 migrantëve nga zonat e konfliktit, të miratuar nga administrata e paraardhësit të Trump, Joe Biden.

Sipas administratës Trump, nga programi i Biden përfituan emigrantë nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela.

Në një kërkesë emergjente, administrata Trump argumentoi se gjykata e Masaçusets nuk kishte autoritetin për të kufizuar kontrollin e ekzekutivit mbi politikën e jashtme dhe emigracionin.

Ndërsa lejoi kërkesën emergjente, Gjykata Supreme ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.

Administrata Trump po përdor gjithnjë e më shumë deportimin – për të ndaluar fluksin e emigrantëve. Deportimet në vende të tjera shumë larg shtëpive të emigrantëve kanë provokuar polemika. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›