SHBA – Macron: Progres thelbësor në bisedimet për luftën në Ukrainë me Trump

UASHINGTON, 25 shkurt /ATSH-DPA/- Presidenti francez Emmanuel Macron sheh “progres thelbësor” pas konsultimeve me presidentin e SHBA-së, Donald Trump për luftën në Ukrainë.
“Ka bisedime konkrete për një plan veprimi për të arritur një paqe të qëndrueshme në të cilën do të përfshihet Ukraina”, tha Macron pas takimit me Trump në Shtëpinë e Bardhë.
“Unë besoj se sot ishte një pikë kthese në diskutimet tona”, tha ai.
“Ne ndajmë dëshirën tuaj për të bërë paqe”, i tha udhëheqësi francez Trump.
“Por paqja nuk mund të nënkuptojë dorëzimin e Ukrainës”, shtoi Macron.
Udhëheqësi francez tha gjithashtu se kishte zhvilluar diskutime rreth garancive të sigurisë si nga evropianët ashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Macron këmbënguli për një paqe të qëndrueshme dhe tha se një armëpushim pa garanci sigurie nuk do të funksiononte.
Franca tashmë ka diskutuar me Britaninë e Madhe çështjen e dërgimit të trupave paqeruajtëse si pjesë e garancive të sigurisë.
“Ne jemi gjithashtu të vetëdijshëm se evropianët duhet të bëjnë më shumë për sigurinë në Evropë, për mbrojtjen në Evropë dhe për një shpërndarje më të drejtë të barrës së sigurisë”, tha Macron. //a.i/