E Enjte, 5 Nëntor 2026

SHBA – Netanyahu në një fjalim para Kongresit amerikan më 24 korrik

UASHINGTON, 7 qershor /ATSH-DPA/- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do t’u drejtohet ligjvënësve të të dy dhomave të Kongresit të SHBA-së në një takim të rrallë të përbashkët më 24 korrik.

Fjalimi i Netanyahu, i cili do të mbrojë luftën e tij në Gazë, ka ngjallur shumë diskutime në Uashington, pasi presidenti Joe Biden po përpiqet të nënshkruajë një marrëveshje të qëndrueshme armëpushimi në Gazë, ndërsa anëtarët e partisë së tij kanë kundërshtuar propozimin e tij.

Edhe përpara se të shpallej data e fjalimit, disa demokratë të krahut të majtë ishin zotuar se do të bojkotonin seancën për shkak të trajtimit të luftës së tij me Hamasin.

Ftesa për Netanyahu u bë javën e kaluar nga liderët e të dyja partive në Kongresin Amerikan, duke përfshirë demokratin Chuck Schumer, udhëheqësin e shumicës në Senat, i cili ka qenë shumë kritik ndaj liderit izraelit.

Schumer, i cili është zyrtari më i lartë i zgjedhur hebre në qeverinë amerikane, kohët e fundit ka bërë thirrje për organizimin e zgjedhjeve të reja në Izrael.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson, njoftoi se fjalimi i Netanyahu do të mbahej të enjten në mbremje, më 24 korrik.

“Ne mezi presim të dëgjojmë vizionin e qeverisë izraelite për mbrojtjen e demokracisë, luftimin e terrorit dhe vendosjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në rajon”, shkroi Johnson në media sociale. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›