E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Rubio: Kuba ka pranuar ofertën amerikane prej 100 milionë dollarësh

UASHINGTON, 21 maj /ATSH-AFP/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi sot se Kuba ka pranuar një ofertë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndihmë financiare në vlerë prej 100 milionë dollarësh, por paralajmëroi se mbetet ende e paqartë nëse Uashingtoni do të pranojë kushtet e paraqitura nga Havana për zbatimin e saj.

Duke folur para gazetarëve, Rubio tha se autoritetet kubane kanë bërë të ditur se e kanë pranuar ofertën amerikane, megjithatë ai theksoi se kjo nuk garanton automatikisht realizimin e marrëveshjes.

“Ata thonë se e kanë pranuar. Do të shohim nëse kjo do të thotë se do të funksionojë”, u shpreh ai.

Kreu i diplomacisë amerikane nuk dha detaje lidhur me natyrën e ndihmës apo kushtet e vendosura nga pala kubane, por la të kuptohet se negociatat dhe shqyrtimet mes dy qeverive janë ende në zhvillim.

Sipas tij, administrata amerikane do të vlerësojë me kujdes kërkesat dhe kushtet e paraqitura nga Havana përpara se të marrë një vendim përfundimtar.

Lajmi mund të përbëjë një zhvillim të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve, të cilat prej dekadash kanë qenë të tensionuara për shkak të mosmarrëveshjeve politike, sanksioneve ekonomike dhe dallimeve ideologjike.

Megjithëse në periudha të ndryshme janë bërë përpjekje për afrim diplomatik, raportet mes Uashingtonit dhe Havanës mbeten të ndërlikuara.

Për momentin, autoritetet amerikane nuk kanë njoftuar një afat të saktë për marrjen e vendimit përfundimtar, ndërsa vëmendja mbetet e përqendruar te negociatat e vazhdueshme mes dy vendeve./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›