TURQI – Gjykata largon nga detyra liderin e opozitës Ozgur Ozel

STAMBOLL, 21 maj /ATSH-DPA/ – Një gjykatë në Ankara urdhëroi sot largimin nga detyra të kreut të partisë më të madhe opozitare në Turqi, Ozgur Ozel, raportoi agjencia shtetërore turke e lajmeve Anadolu Agency (AA).
Vendimi i heq Ozelit dhe drejtuesve aktualë të Partisë Popullore Republikane (CHP) kompetencat drejtuese.
Gjykata urdhëroi gjithashtu që ish-kryetari i partisë, Kemal Kiliçdaroglu, së bashku me drejtuesit e mëparshëm, të marrin përkohësisht administrimin e partisë.
Megjithatë, vendimi nuk është ende përfundimtar dhe mund të apelohet.
Çështja gjyqësore, e ngritur nga një ish-anëtar i partisë, ka rënduar mbi CHP-në prej vitesh.
Ajo lidhet me akuzat se delegatëve u janë ofruar ryshfete për të votuar në favor të Ozelit gjatë garës për drejtimin e partisë në nëntor 2023.
Drejtuesit e CHP-së i kanë mohuar vazhdimisht këto akuza.
Çështja ishte pushuar në tetor, por më pas u rihap nga autoritetet gjyqësore.
Kiliçdaroglu drejtoi CHP-në për më shumë se një dekadë, por humbi përballë presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan në zgjedhjet presidenciale të vitit 2023.
Pas asaj disfate zgjedhore, Ozel u zgjodh në krye të partisë dhe nisi përpjekjet për ta ripozicionuar CHP-në në skenën politike turke./ /Ad.Ab./ a.jor.