BOTËRORI 2026 – Tifozët pushtojnë rrjetet me himne të krijuara nga IA

MONTREAL, 21 maj /ATSH-AFP/ – Tifozët e futbollit po përdorin gjithnjë e më shumë inteligjencën artificiale (IA) për të krijuar në masë këngë mbështetëse për kombëtaret e tyre përpara Kupës së Botës që do të zhvillohet muajin e ardhshëm në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Këto himne të krijuara nga tifozët kanë grumbulluar miliona dëgjime në YouTube, TikTok dhe Instagram, duke u kthyer në një fenomen viral. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se popullariteti i tyre ngre pyetje të rëndësishme lidhur me autorësinë e këngëve, të drejtat e autorit, shpërblimin e artistëve dhe vlerësimin e krijimtarisë njerëzore.
Pavarësisht këtyre debateve, shumë përdorues duket se i pëlqejnë këngët e krijuara nga IA, madje disa i preferojnë ato ndaj himnit zyrtar të Botërorit, të porositur nga organizata botërore e futbollit, FIFA, dhe interpretuar nga Jelly Roll dhe Carin León.
Edhe pse javën e kaluar u publikua një këngë shumë e pritur e Shakira për turneun, moda e këngëve të krijuara me inteligjencë artificiale vazhdon të gjenerojë entuziazëm të madh në rrjetet sociale.
Sipas raportit, trendi nisi në shkurt me këngën “Imbattables”, kushtuar kombëtares franceze dhe publikuar nga artisti Crystalo, i cili në Spotify prezantohet si “krijuesi i parë muzikor francez me IA”.
Kënga përfshin emrat e yjeve të ekipit francez, mes tyre edhe Kylian Mbappe.
Më pas u publikua një himn për Brazilin me një strukturë të ngjashme. Producenti brazilian Guilherme Maia, i njohur artistikisht si M4IA, tha se e krijoi këngën duke kombinuar elemente muzikore të zhvilluara me ndihmën e inteligjencës artificiale.
Sipas tij, më vonë shumë këngë për kombëtaret e Portugalisë, Argjentinës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera kopjuan pothuajse identikisht formatin e tij.
Në këto këngë përmenden emrat e futbollistëve kryesorë dhe lavdërohen figurat kryesore të ekipeve, si Cristiano Ronaldo për Portugalinë dhe Lionel Messi për Argjentinën.
Maia theksoi se inteligjenca artificiale i hap mundësi të reja prodhimit muzikor, por pranoi se ajo sjell sfida të reja ligjore dhe etike.
“Në muzikë ekzistojnë rregulla të qarta. Nuk mund të kopjosh thjesht punën e dikujt tjetër ose të përdorësh materiale pa leje, edhe nëse përfshihet inteligjenca artificiale”, tha ai.
Ekspertët vërejnë gjithashtu se mbetet e paqartë se si duhet të kreditohen artistët, nëse veprat e tyre të mbrojtura nga të drejtat e autorit përdoren për trajnimin e modeleve të AI-së.
Përveç kësaj, muzika e gjeneruar nga inteligjenca artificiale shpesh mund të shfaqë mangësi, si shqiptim të pasaktë të emrave ose mungesë kompleksiteti artistik./ /Ad.Ab./ a.jor.