E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Shkon në 11 numri i viktimave nga përmbytjet në Teksas, vijojnë kërkimet për 4 të zhdukur

Të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë zhdukur si pasojë e përmbytjeve që kanë goditur shtetin jugor të Teksasit në SHBA.

Reshjet e dendura të shiut u shkarkuan të enjten në qytetin e San-Antonios, duke shkaktuar përmbytje në rrugë, që sipas medieve lokale morën përpara automjetet, duke i shtyrë drejt shtratit të një përroi në afërsi të qytetit.

Raportohet se shërbimi zjarrfikës i qytetit po zhvillon një operacion për gjetjen e të paktën katër viktimave.

“Zemrat tona janë me familjet e qytetarëve që humbën jetët gjatë përmbytjeve dhe atyre që po vijojnë të kërkojnë të dashurit e tyre,” u shpreh kryebashkiaku i San-Antonios, Ron Nirenberg, në një postim në rrjetin social “X”.

Zyrtarët lokalë bënë me dije se ekipet e emergjencës kanë ndërmarrë më shumë se 70 operacione për shpëtimin e të rrezikuarve nga përmbytjet.

Prej kohësh, shkencëtarët kanë paralajmëruar se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga dora e njeriut kanë shtuar gjasat dhe intensitetin e dukurive të motit, siç janë shirat e rrëmbyer.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›