SHBA – Shtëpia e Bardhë: Biden dhe Xi do të takohen në samitin e APEC në Peru

UASHINGTON, 13 nëntor /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së Joe Biden dhe udhëheqësi kinez Xi Jinping do të zhvillojnë takimin e tyre të parë ballë për ballë në një vit, këtë fundjavë gjatë samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Peru, tha sot një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë.
Tensionet midis dy ekonomive më të mëdha në botë kanë çuar në një komunikim minimal gjatë viteve të fundit.
Takimi në Lima do të zhvillohet të shtunën, pak më shumë se një muaj para se Donald Trump të marrë detyrën si president i SHBA-së.
“Ne presim që presidenti të përdorë mundësinë për të vlerësuar përpjekjet për të menaxhuar me përgjegjësi konkurrencën gjatë katër viteve të fundit dhe se si të dy vendet kanë avancuar fusha të interesit të përbashkët – mes mosmarrëveshjeve të thella dhe konkurrencës intensive”, zyrtari.
Ata gjithashtu ka të ngjarë të diskutojnë luftën në Ukrainë.
Zyrtari vuri në dukje se SHBA-ja dhe Kina kishin rifilluar komunikimin midis forcave të tyre të armatosura vitin e kaluar.
“Biden ka theksuar gjithmonë çështjet e të drejtave të njeriut në bisedat me Xi dhe ka të ngjarë ta diskutojë sërish këtë”, tha ajo.
Biden dhe Xi u takuan për herë të fundit në samitin e APEC në Kaliforni, në nëntor të vitit të kaluar, pas një viti mungesë kontakti.
Të dy liderët nuk e kishin takuar njëri-tjetrin që nga samiti i G20 në Bali, në nëntor 2022.
Takimi në Kaliforni kishte për qëllim stabilizimin e marrëdhënieve dhe rifillimin e kontakteve, veçanërisht midis ushtrive të tyre përkatëse.
Në prill, Biden dhe Xi zhvilluan një bisedë telefonike për herë të parë që nga takimi në Kaliforni. Marrëdhëniet mes dy vendeve, megjithatë mbeten të tensionuara.//a.i/