E Enjte, 5 Nëntor 2026

SHBA – Starmer takohet me Donald Trump gjatë vizitës në Nju Jork

LONDËR, 27 shtator /ATSH-DPA/- Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer zhvilloi një takim me Donald Trump gjatë vizitës së tij në Nju Jork.

Kryeministri Starmer vizitoi Kullën Trump të kandidatit republikan për president për bisedime përpara zgjedhjeve të nëntorit në SHBA.

“Unë kam thënë disa herë, dua të takoj të dy kandidatët”, tha Starmer përpara takimit, duke iu referuar Trump dhe kandidates demokrate dhe zëvendëspresidentes së SHBA-së, Kamala Harris.

“Tani kemi mundësinë të takojmë Trump, gjë që është mirë. Natyrisht, unë ende dua të flas me Harris gjithashtu”, shtoi ai.

“Do të jetë me të vërtetë krijimi i një marrëdhënieje mes nesh të dyve. Unë besoj shumë në marrëdhëniet personale në skenën ndërkombëtare”, tha Starmer.

“Mendoj se është me të vërtetë e rëndësishme të jemi në dijeni se kush është homologu jonë në një vend të caktuar dhe t’i njohim ata personalisht, t’i takojmë ballë për ballë”, shtoi ai.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Lammy, i cili e quajti Trumpin një “simpatizant racist të KKK-së dhe nazistëve” në vitin 2017 dhe premtoi se do të protestonte nëse ai vizitonte BM-në – ishte gjithashtu i pranishëm në takimin e Trump Tower.

Duke folur në një konferencë për shtyp përpara takimit, Trump tha se mendonte se Starmer ishte “shumë i sjellshëm”.

“Unë në fakt mendoj se ai është shumë i mirë. Ai bëri një garë të shkëlqyer, ai është shumë popullor”, tha Trump.

Starmer tha se ekipi i ambasadës së Britanisë së Madhe, i udhëhequr nga ambasadorja Karen Pierce, ka pasur marrëdhënie të mira me të dy kampet për një kohë të gjatë. //a.i./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›