SHBA – Trump: Samiti i Alaskës, shumë i suksesshëm

UASHINGTON, 16 gusht /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha sot në platformën e tij “Truth Social” se samiti me homologun e tij rus, Vladimir Putin ishte i shkëlqyer dhe shumë i suksesshëm.
Ai gjithashtu konfirmoi se do të takohej me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të hënën, në Zyrën Ovale.
“Një ditë e shkëlqyer dhe shumë e suksesshme në Alaskë! Takimi me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin shkoi shumë mirë, si dhe një telefonatë në mbrëmje vonë – me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe udhëheqës të ndryshëm evropianë, përfshirë sekretarin e përgjithshëm – shumë të respektuar – të NATO-s, Mark Rutte”, tha Trump.
“U vendos nga të gjithë se mënyra më e mirë për t’i dhënë fund luftës së tmerrshme midis Rusisë dhe Ukrainës është të shkohet drejtpërdrejt në një Marrëveshje Paqeje – e cila do t’i jepte fund luftës, dhe jo thjesht një Marrëveshje Armëpushimi, e cila shpesh herë nuk qëndron”, theksoi presidenti amerikan në “Truth Social”.
“Presidenti Zelensky do të vijë në Uashington, në Zyrën Ovale, të hënën pasdite. Nëse gjithçka shkon mirë, atëherë do të caktojmë një takim edhe me presidentin Putin”, tha Trump.
“Potencialisht, jetët e miliona njerëzve do të shpëtohen. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, perfundoi Presidenti i SHBA-se, Donald Trump. //a.i/