SHBA – Trump informon Zelensky dhe evropianët rreth samitit në Alaskë

UASHINGTON, 16 gusht /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka informuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit e tjerë evropianë rreth takimit të tij me Vladimir Putin dje në mbrëmje, në Alaskë.
Trump dhe Putin përfunduan takimin e tyre në Alaskë pa një deklaratë në lidhje me një armëpushim të mundshëm në Ukrainë dhe nuk u njoftuan rezultate të prekshme.
Trump foli për një marrëveshje mbi pika të rëndësishme, por nuk dha detaje.
Putini përmendi gjithashtu marrëveshjet që ai tha se mund të ishin një pikënisje për një zgjidhje të konfliktit të Ukrainës.
Presidenti Trump, pas përfundimit të samitit, deklaroi se do të konsultohej me evropianët dhe Zelensky. “Në fund të fundit varet nga ata”, tha ai.
Përsa i përket përmbajtjes, shumë detaje mbetën të paqarta – menjëherë pas takimit midis dy udhëheqësve, në bazën ushtarake në qytetin e Anchorage.
“Patëm një takim jashtëzakonisht produktiv dhe u ra dakord për shumë pika. Kanë mbetur vetëm disa. Disa nuk janë aq të rëndësishme”, tha Trump.
Zelensky dhe Trump zhvilluan dje në mbrëmje një bisedë telefonike që zgjati rreth një orë.
Udhëheqësit evropianë iu bashkuan më pas bisedës, e cila zgjati më shumë se një orë e gjysmë në total.
Sipas Komisionit Evropian, bisedimet me Trump dhe Zelensky përfshinë kancelarin gjerman Friedrich Merz; presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen; presidentin francez Emmanuel Macron; kryeministrin britanik Keir Starmer; kryeministren italiane, Giorgia Meloni; presidentin finlandez Alexander Stubb; presidentin polak Karol Nawrocki; sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte – si dhe sekretarin amerikan të shtetit Marco Rubio dhe të dërguarin special të SHBA-së Steve Witkoff.
Konsultime të mëtejshme u pasuan midis udhëheqësve evropianë. Ambasadorët e BE-së të shteteve anëtare do të takohen sot për një takim të jashtëzakonshëm për t’u informuar rreth takimit të Alaskës.
Para samitit të Alaskës, gjatë një konsultimi online me presidentin Trump – evropianët u përpoqën të përcaktonin pesë pika për bisedime të mundshme paqeje – duke përfshirë armëpushimin dhe garancitë për sigurinë.
“Në Alaskë, interesat themelore të sigurisë evropiane dhe ukrainase duhet të mbrohen”, tha më herët kancelari gjerman, Friedrich Merz në një konferencë për shtyp me Zelensky. //a.i/