SHBA – Trump emëron 27-vjeçaren Karoline Leavitt si sekretare të shtypit të Shtëpisë së Bardhë

UASHINGTON, 16 nëntor /ATSH-DPA/ – Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump emëroi dje 27-vjeçaren Karoline Leavitt si sekretare e shtypit e Shtëpisë së Bardhë.
Leavitt, e cila më parë ka shërbyer si zëdhënëse e fushatës së Trump, sjell përvojën nga koha e saj në zyrën e shtypit gjatë mandatit të parë të Trump nga 2017 deri në 2021.
Trump, 78 vjeç, e vlerësoi atë si “të zgjuar”, “të ashpër” dhe një “komunikuese shumë efektive”.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, Leavitt do të jetë personi më i ri në moshë që do të mbajë ndonjëherë postin prestigjioz të sekretarit të shtypit të Shtëpisë së Bardhë.
Roli i sekretarit të shtypit është tradicionalisht një rol i profilit të lartë, përgjegjës për mbajtjen e konferencave të përditshme të shtypit në Shtëpinë e Bardhë.
Megjithatë, gjatë mandatit të parë të Trump, konferencat për shtyp ishin të rralla.
Ish-sekretarja e shtypit Stephanie Grisham u largua nga roli pas muajsh pa mbajtur asnjë konferencë të vetme.
Në vend të kësaj, Trump shpesh zhvillonte konferenca të gjata për shtyp ose iu përgjigj pyetjeve drejtpërdrejt nga gazetarët, shpesh duke iu referuar gazetarëve të medias si “armiq të popullit”.
Mandati i parë i Trump në Shtëpinë e Bardhë kishte katër sekretarë të ndryshëm shtypi: Sean Spicer, Sarah Huckabee Sanders, Stephanie Grisham dhe Kayleigh McEnany./ a.jor.