SHBA – Trump takohet me Zelensky në Nju-Jork: “Ukraina ka përjetuar ferrin”

NJU-JORK, 27 shtator /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua me ish-presidentin amerikan Donald Trump gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara.
Takimi që zhvillohet në kullën “Trump” të kandidatit republikan për president në Nju-Jork vjen mes shqetësimeve në Kiev se një mandat i dytë i Trump do të zvogëlonte mbështetjen ushtarake të SHBA-së për Ukrainën.
“Është një nder të kemi presidentin këtu me ne”, tha Trump, ndërsa të dy hynin për bisedimet e tyre.
“Duhet të marrë fund në një moment. Duhet të përfundojë”, deklaroi ai për luftën.
“Ai ka përjetuar ferrin”, u shpreh Trump për Zelensky. “Vendi i tij ka kaluar nëpër ferr”.
“Mendoj se ndajmë të njëjtën pikëpamje se lufta në Ukrainë duhet të ndalet dhe se Putini nuk mund të fitojë”, u tha Zelensky gazetarëve, duke iu referuar presidentit rus Vladimir Putin.
Trump e njoftoi takimin e sotëm në një konferencë shtypi mbrëmjen e kaluar, duke thënë se takimi ishte kërkuar nga Zelensky.
Takimi i fundit mes tyre ka ndodhur gati pesë vjet më parë, përpara se Putini të ndërmerrte pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Trump, i cili po kërkon të rizgjedhet në Shtëpinë e Bardhë në nëntor, është kritik për mbështetjen masive financiare dhe ushtarake që SHBA i ofron Ukrainës.
Trump ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se nëse fiton zgjedhjet, lufta në Ukrainë do të marrë fund shpejt, por asnjëherë nuk ka dhënë hollësi se si do ta realizonte këtë.
Zelensky iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork dy ditë më parë, ndërkohë që dje u takua me Presidentin Joe Biden dhe zëvendëspresidenten Kamala Harris në Shtëpinë e Bardhë.
Harris, e cila përballet me Trump në garën për Shtëpinë e Bardhë, premtoi mbështetje “të palëkundur” për Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër Rusisë.
Takimi i Zelensky me Trump ishte dukur i pamundur pas komenteve të ashpra të bëra nga Trump në një tubim në Karolinën e Veriut dy ditë më parë.
“Ne vazhdojmë t’i japim miliarda dollarë një njeriu që refuzon të bëjë marrëveshje”, deklaroi Trump për liderin ukrainas. “Kaq shumë njerëz të vdekur, por çdo marrëveshje, madje edhe marrëveshja më e keqe, do të kishte qenë më e mirë se ajo që kemi tani”, shtoi ai.
/u.sh/