SHBA -Trump: Do të jetë një “situatë e vështirë” nëse Putin nuk pranon planin e paqes

LONDËR, 19 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se avionët amerikanë mund të ndihmojnë në mbrojtjen e Ukrainës nëse arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, por pranoi se ishte e mundur që presidenti rus Vladimir Putin të refuzojë një plan paqeje.
Ai tha se do të ishte një “situatë e vështirë” nëse Putini nuk pajtohet me kushtet e paqes, por theksoi se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky duhet të tregojë fleksibilitet, duke përfshirë heqjen dorë nga shpresat për të rikthyer Krimenë apo për t’u anëtarësuar në NATO.
Komentet e presidentit amerikan erdhën ndërkohë që kryeministri britanik Keir Starmer zhvilloi bisedime me anëtarët e “koalicionit të vullnetshmëve”, shtetet e gatshme të kontribuojnë për të garantuar sigurinë e Ukrainës nëse arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund pushtimit rus.
Gjatë një telefonatesot, anëtarët e grupit diskutuan mundësinë e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, ndërsa planifikuesit nga këto shtete do të takohen me homologët e tyre amerikanë “në ditët e ardhshme”, mes përpjekjeve për të ngritur “garanci të forta sigurie”, sipas zyrës së kryeministrit Starmer.
“Shpresoj që presidenti Putin të sillet mirë, dhe nëse jo, do të jetë një situatë e vështirë. Dhe shpresoj që Zelensky, presidenti Zelensky, të bëjë atë që duhet të bëjë. Ai duhet të tregojë pak fleksibilitet”. I tha presidneti Trump Fox News”.
Britania e Madhe dhe Franca janë zotuar të dërgojnë forca në Ukrainë për të penguar presidentin Putinin të nisë një sulm të ri ndaj fqinjit të tij, nëse arrihet një marrëveshje për përfundimin e luftës.
Trump tha se ata ishin “të gatshëm të vendosin njerëz në terren” dhe shtoi se “ishin të gatshëm t’i ndihmonin me shumë gjëra, veçanërisht ndoshta nga ajri, sepse askush nuk kishte pajisje të tilla si ne”.
Megjithatë, ai sugjeroi se Putini kishte pak gjasa të niste një pushtim tjetër, pasi ishte “i lodhur prej tij” pas tre vitesh lufte. /Ad.Ab./